Bisedimet SHBA-Kinë, Trump: Kemi arritur një marrëveshje për mineralet e rralla, tarifat dhe studentët

11 June 2025, 21:20Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bisedimet SHBA-Kinë, Trump: Kemi arritur një marrëveshje për
Trump dhe Xi Jinping

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se bisedimet që synonin të zbusnin tensionet midis SHBA-së dhe Kinës kanë përfunduar me një “marrëveshje”.

Ai tha se Kina ka rënë dakord të furnizojë kompanitë amerikane me magnetë dhe metale të rralla, ndërkohë që SHBA do të tërhiqet nga kërcënimet për të revokuar vizat e studentëve kinezë.

“Marrëveshja jonë me Kinën është e përfunduar, në pritje të miratimit përfundimtar nga Presidenti Xi dhe unë,” shkroi Trump në Truth Social.

Kjo erdhi pas dy ditësh bisedimesh intensive në Londër për të zgjidhur konfliktet që kishin lindur që nga maji, kur të dy palët kishin rënë dakord për një armëpushim pas një përshkallëzimi të shpejtë të tarifave që kishte bllokuar thuajse plotësisht tregtinë midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Javën e kaluar, Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping folën në telefon për të nisur negociatat, në të cilat morën pjesë zyrtarë të lartë nga të dy vendet.

Detajet mbi marrëveshjen e re janë të kufizuara. Por zyrtarët thanë se ajo nuk do të ndryshojë në thelb marrëveshjen e arritur në maj, e cila uli – por nuk hoqi krejtësisht – tarifat e reja të shpallura nga të dyja vendet që prej nisjes së luftës tregtare nga Trump më herët këtë vit.

“Të dyja palët kanë arritur, në parim, një kornizë për zbatimin e konsensusit të arritur nga dy krerët e shteteve gjatë telefonatës së 5 qershorit dhe takimit në Gjenevë,” tha zëvendësministri kinez i Tregtisë, Li Chenggang.

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, u tha gazetarëve se palët kishin “arritur një kornizë për zbatimin e konsensusit të Gjenevës”.

“Pasi presidentët ta miratojnë, do të kalojmë në fazën e zbatimit,” shtoi ai.

“Jemi plotësisht në rrugën e duhur,” tha ai duke folur për CNBC. “Gjërat po duken mirë.”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trump është duke shqyrtuar detajet e marrëveshjes. “Por ajo që dëgjoi presidenti, i pëlqeu,” shtoi ajo.

Negociatat në Londër u nxitën pjesërisht nga shqetësimet amerikane se Kina po vononte qëllimisht eksportin e magnetëve dhe mineraleve të rralla, të cilat janë thelbësore për prodhimin e gjithçkaje, nga telefonat inteligjentë deri te automjetet elektrike.

Nga ana tjetër, Pekini ka kritikuar kontrollet që SHBA ka vendosur për të kufizuar aksesin e Kinës në gjysmëpërçues dhe teknologji të tjera të lidhura me inteligjencën artificiale (AI), si dhe planet e administratës Trump për të kufizuar vizat për studentët kinezë.

Duke folur për CNBC, Lutnick tha se SHBA kishte rënë dakord të hiqte disa “kundërmasa”, pa dhënë detaje të sakta për reagimet përkatëse.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i cili dëshmoi përpara Kongresit të mërkurën, tha se bisedimet e fundit kishin qenë të fokusuara ngushtë dhe se një marrëveshje më e gjerë do të kërkonte kohë.

“Do të jetë një proces shumë më i gjatë,” tha ai.

Kur Trump shpalli tarifa të gjera mbi importet nga disa vende më herët këtë vit, Kina ishte më e goditura.

Kina reagoi me tarifa të larta për importet amerikane, duke nxitur rritje të mëtejshme reciproke.

Në maj, bisedimet në Zvicër çuan në një armëpushim të përkohshëm që Trump e quajti “një riformatim të plotë.”

Ky armëpushim uli tarifat e reja të vendosura nga SHBA ndaj produkteve kineze nga 145% në 30%, ndërsa Pekini uli tarifat për importet amerikane në 10% dhe premtoi se do të hiqte pengesat për eksportin e mineraleve kritike. Të dyja palët ranë dakord për një afat 90-ditor për të arritur një marrëveshje tregtare.

Por më vonë SHBA dhe Kina akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të angazhimeve jashtë tarifave.

Në postimin e tij në rrjete sociale, Trump tha se SHBA do të mbante tarifa prej 55% për mallrat kineze, por zyrtarët sqaruan se kjo përfshinte edhe tarifat e vendosura gjatë mandatit të tij të parë.

Tregjet reaguan pak ndaj marrëveshjes, të cilën Terry Haines, themelues i firmës këshilluese Pangaea Policy në Uashington, e përshkroi si “me përmbajtje shumë të kufizuar dhe status të papërfunduar.”

“Rikthimi në shinat e marrëveshjes së Gjenevës është arritja më minimale dhe nuk sugjeron se një marrëveshje tregtare gjithëpërfshirëse apo një afrim gjeopolitik SHBA-Kinë është afër në të ardhmen e parashikueshme,” shkroi Trump.


Video