
Dy pikat kufitare, ajo në Jarinjë dhe tjetra në Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura sot.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar në pikat e tjera kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje të Kosovës, e as në dalje.
Ndërsa pasditen e së enjtes janë larguar barrikadat e vendosura nga bandat kriminale në veri, më 10 nëntor.
Barrikadat janë larguar në fshatin Rudar, i cili gjendet në komunën e Zveçanit, në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.
Kujtojmë se barrikadat u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.
Thirrjet për largimin e tyre “ranë në vesh të shurdhër”. Qeveria e Kosovës po priste KFOR-in që të largonte barrikadat.
Por ishte ndryshimi i aktakuzës të Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak, që shërbeu si shkëndijë për heqjen e tyre.
Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.
Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.
Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.