Kandidati për kryeministër në Britaninë e Madhe nuk e përjashton nxjerrjen e vendit nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të pasur duart e zgjidhura në trajtimin e emigracionit të paligjshëm përmes politikave më të ashpra.
Rishi Sunak deklaroi se "asnjë opsion nuk duhet përjashtuar".
Në një intervistë me kanalin televiziv GB News të transmetuar të shtunën, Sunak tha se ai është i prekur nga fakti që "mijëra njerëz po hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe me varka të vogla" përgjatë Kanalit të La Manshit. Ai theksoi se askush nuk duhet të ketë dyshime se nëse bëhet Kryeministër nuk do ta trajtojë këtë problem.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ishte i përgatitur të largohej nga Konventa për të arritur qëllimin e tij, ai tha se nëse masat e tjera rezultojnë jo efektive, "asnjë opsion nuk duhet të jetë jashtë tryezës sepse ne duhet të kemi kontroll mbi kufijtë tanë". “Çdo vend sovran duhet të jetë në gjendje ta bëjë këtë”, vijoi ai.
Duke theksuar se rifitimi i kontrollit mbi migracionin ishte një nga arsyet për mbështetjen e tij për Brexit, ai renditi disa nga masat që dëshiron të prezantojë për të adresuar problemin.
“Ne duhet të ndryshojmë përkufizimin e azilit” tha ai. Ai shpjegoi se Britania e Madhe aktualisht përdor përkufizimin e Konventës, i cili, sipas mendimit të tij, është shumë i gjerë dhe shfrytëzohet masivisht në mënyrë të rreme nga emigrantët.
"Pra, mendoj se ne duhet të kalojmë në një përkufizim tjetër, një standard tjetër ndërkombëtar që përdorin australianë dhe të tjerët, i cili është shumë më i ngushtë dhe me i saktë”, tha Sunak, vetë bir i emigrantëve.
Ai sugjeroi gjithashtu se Britania e Madhe duhet të jetë "më e ashpër" me politikën e saj të jashtme dhe të mos hezitojë t'u kërkojë vendeve të tjera të marrin e të paguajnë mbrapsht për shtetasit e tyre që u refuzohet azili në ishull.
Ai thotë se është i përgatitur të "bëjë gjithçka që duhet" për të funksionuar politika e dërgimit të emigrantëve të paligjshëm në Ruandë. Për këtë çështje, Sunak është dakord me konkurrentin e tij për postin drejtues të konservatorëve, Sekretaren e Jashtme Liz Truss, e cila gjithashtu mbështet politikën, pavarësisht pengesave ligjore dhe kritikave.
Sunak e ka bërë kontrollin e migracionit të paligjshëm një nga pikat kryesore të fushatës së tij. Ai kishte pohuar më parë se do të ishte në gjendje të ndërtonte një marrëdhënie më "konstruktive" me presidentin francez Emmanuel Macron sesa kishte bërë kryeministri në largim Boris Johnson dhe se kjo do të ndihmonte gjithashtu Britaninë për të trajtuar çështjen.