I dënuar për trafik droge, arrestohet 26-vjeçari në Shkodër!

18 October 2026, 11:54Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

I dënuar për trafik droge, arrestohet 26-vjeçari në

Një 26-vjeçar i dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve është arrestuar në Shkodër, teksa tentonte të largohej me automjet. Në pranga kanë rënë edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se e ndihmonin t’u shmangej shërbimeve të Policisë.

Operacioni policor i koduar “Last Travel” u finalizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në kuadër të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Në pranga u vu shtetasi R. Gj., 26 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodër. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 14 tetor 2026, e ka dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim për veprat penale që lidhen me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, kultivimin e bimëve narkotike në bashkëpunim, në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

26-vjeçari u lokalizua dhe u kap teksa udhëtonte me një automjet, në të cilin ndodheshin edhe dy shtetas të tjerë, P. P., 30 vjeç, drejtues i mjetit, dhe O. S., 19 vjeç, pasagjer.

 

Pas arrestimit të 26-vjeçarit, Policia vuri në pranga edhe dy personat e tjerë, të dy banues në Fushë Arrëz. Ata dyshohen se e ndihmonin të dënuarin për t’iu shmangur kapjes nga autoritetet dhe akuzohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme.

 


Video