
Deputetja socialiste Elisa Spiropali u tregua kritike me kolegët e saj të PS-së teksa mori fjalën në seancën ku po disktutohet reforma territoriale. Spiropali tha se PS duhet të gjejë forcën të vetëreformohet, të vetëpastrohet për të mirën e vendit.
Ndërsa kritikoi deputetët socialistë që flasin me nota triumfaliste, ajo theksoi se krebashkiakët duhet të kenë më shumë pushtet, më shumë përgjegjësi e të mos trajtohen si fasadë.
Në fund, Spiropali bëri thirrje për decentralizim të pushtetit dhe për reformim të sistemit zgjedhor që në Kuvend të mos vijnë deputetët që vetëm ngrenë kartonin për çdo vendim por që janë të përgjegjshëm ndaj qytetarëve.
“Me keqardhje shumë të madhe e shoh këtë seancë, kur jashtë protestojnë, por edhe më gjerë, ku ka një humbje besimi mes qytetarëve dhe politikës, te kontrata sociale me qytetarët. Dua ta nis nga vetja, nga shumica, nga partia që përfaqësoj.
Reforma Territoriale nuk është thjesht sesa bashki janë, por sa pushtet duhet të kenë në të vërtetë ato. Sa vendime merren pranë qytetarit që edhe ai të ndihet pjesë e tyre. A mund ta reformojmë ne pushtetin dhe nga pushteti vendor mund ta kalojmë këtë në gjithë pushtetet.
Kam shumë besim se do vijojmë me decentralizimin. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi nga kryebashkiakët duhet ta kërkojmë këtë nga çdo qeveritar e pushtet. Si gaantohet që brenda partive politike kemi pavarësi. Kryebashkiakët s’mund të trajtohen si fasadë e partisë në pushtet dhe nuk mund të thirren sikur janë vartës.
Më vjen shumë keq nga kolegë të mi që flasin me tone triumfaliste, krejt e pavend. Ne jemi më të fortë, ne do iu mundim...
Nuk është normale t’i fitojmë të gjtha bashkitë. Shqipërisë i duhet me pak përqendrim pushteti, institucionet duhet të jenë më të forta se njerëzit që i ushtrojnë. Më pak personalizim të pushtetit, më shumë deputetët që e meritojnë vendin, që janë të përgjegjshëm.
Duhet të reformojmë edhe sistemin zgjedhor që nuk prodhon më asgjë. Sistemi politik duhet hapur, qytetari duhet ta dijë për kë voton.
Parlamenti i së ardhmes nuk është parlamenti me deputetë që binden, por të përgjegjshëm që e kanë politikën si vokacion. Duhet të kemi guximin të reformohemi së brendshmi, pushtetin, sistemin zgjedhor” – tha deputetja e PS-së Spiropali.