
Rusia ka një nga forcat e armatosura më të mëdha dhe më të fuqishme në botë, por nuk e ka treguar diçka të tillë në luftën kundër Ukrainës, shkruan BBC.
Shumë analistë ushtarakë në Perëndim janë befasuar nga performanca e saj në fushën e betejës deri më tani, dhe disa e kanë cilësuar “të mjerë”. Përparimi ushtarak duket se ka ngecur dhe një pjesë janë të shqetësuar nëse Rusia do të marrë veten nga humbjet që ka pësuar.
Këtë javë, një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s tha për BBC-në: “Rusët qartësisht nuk i kanë arritur qëllimet e tyre dhe ndoshta nuk do t’i arrijnë”.
Ndërkohë, ushtria e Ukrainës ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook mëngjesin e së shtunës se ka vrarë një tjetër drejtues të lartë të ushtrisë ruse në betejë.
Në postim thuhet se Andrei Mordvichev, gjeneral-lejtnantin, ka mbetur i vdekur pas shkëmbimit të zjarrit me forcat ukrainase.
Në përditësim thuhet gjithashtu se vija e frontit të luftës nuk kishte ndryshuar ndjeshëm në 24 orët e fundit. Trupat e Ukrainës kishin arritur të shkatërronin disa kolona me personel ushtarak rus në rajonet Mykolaiv dhe Sumy.