
Një seri e qumështit VITA, produkt që tregtohet edhe në Shqipëri, është tërhequr nga tregu në Kosovë pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të aflatoksinës M1 mbi kufirin e lejuar. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV) ka urdhëruar bllokimin dhe tërheqjen e kësaj serie nga pikat e shitjes.
Bëhet fjalë për qumështin VITA UHT me 3.2% yndyrë, në paketim njëlitërsh, me datë prodhimi 18 korrik 2026 dhe afat përdorimi 18 janar 2027, të prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA).
“AUV u bën thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë këtë seri të qumështit VITA UHT 3.2% dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë”, thuhet në njoftimin e autoriteteve kosovare.
Sipas mediave në Kosovë, analizat e kryera në Institutin për Sigurinë e Ushqimit në Linz të Austrisë kanë zbuluar një përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 mikrogramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0.050 mikrogramë për kilogram.
Edhe analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë konstatuan tejkalim të nivelit të lejuar në tri mostra të qumështit VITA 3.2%.