
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar lidhur me protestën studentore, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shprehet i shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve. Sipas tij, protesta paqësore është një e drejtë themelore në demokraci dhe se shteti ka detyrimin ta garantojë atë.
Presidenti nënvizon se dhuna nuk mund të jetë mjet për të shprehur pakënaqësinë. Po ashtu, ai nënvizon se edhe përdorimi i forcës nga policia duhet të jetë brenda kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.
Begaj bën thirrje që Kushtetuta dhe ligji të respektohen nga të gjithë, pa përjashtim.
“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje. E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit. Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim", lexohet në njoftimin e Presidentit.
"Mbetem i gatshëm të dëgjoj te gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, u shpreh Presidenti i Republikës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.