Shqipëria mes vendeve me praninë më të madhe të hoteleve ndërkombëtare me 5 yje në rajon

24 September 2026, 16:00Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shqipëria mes vendeve me praninë më të madhe të

Shqipëria po konsolidon pozicionin e saj në hartën e turizmit premium në rajon, me një prani të konsiderueshme të markave të mëdha ndërkombëtare të hotelerisë. Një studim i publikuar nga eksperti malazez i turizmit dhe tregut imobiliar Darko Dikanović tregon se Shqipëria ka tashmë një përqendrim të dukshëm të hoteleve me pesë yje që operojnë nën marka ndërkombëtare, veçanërisht në Tiranë dhe përgjatë bregdetit.

Harta e përgatitur nga Dikanović përfshin Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë dhe Slloveninë dhe evidenton praninë e grupeve Marriott, Accor, IHG, Hilton, Hyatt dhe Meliá, krahas operatorëve të tjerë ndërkombëtarë.

Shqipëria spikat për numrin dhe diversitetin e markave të pranishme në raport me madhësinë e tregut. Përqendrimi më i madh është në Tiranë, por harta tregon se hoteleria ndërkombëtare e nivelit të lartë është shtrirë tashmë edhe në bregdet, duke krijuar një bosht të ri të ofertës premium turistike.

Veçanërisht e rëndësishme është prania e disa prej grupeve më të mëdha globale të hotelerisë. Në tregun shqiptar identifikohen hotele të lidhura me Marriott, Accor, IHG, Hyatt dhe Meliá, si dhe operatorë të tjerë. Kjo e bën tregun vendas më të diversifikuar për sa i përket markave ndërkombëtare të segmentit me pesë yje.

Në rajon, një përqendrim i lartë i hoteleve ndërkombëtare vihet re edhe në Malin e Zi, sidomos përgjatë vijës bregdetare. Kroacia ka një shpërndarje më të gjerë gjeografike të strukturave të këtij segmenti, ndërsa në Serbi prania është e përqendruar kryesisht në Beograd. Në Bosnjë-Hercegovinë, Sarajeva është qendra kryesore, ndërsa në Slloveni spikat Ljubljana.

Harta reflekton njëkohësisht transformimin që ka pësuar oferta turistike shqiptare gjatë viteve të fundit. Krahas rritjes së numrit të vizitorëve të huaj, investimet po orientohen gjithnjë e më shumë drejt strukturave të kategorive të larta dhe marrëveshjeve me operatorë ndërkombëtarë, duke e afruar ofertën vendase me standardet e tregjeve më të konsoliduara turistike.

Prania e markave globale ka rëndësi përtej shtimit të kapaciteteve akomoduese. Hyrja e tyre sjell standarde ndërkombëtare të menaxhimit, marketingut dhe shërbimit, ndërsa mundëson që destinacionet shqiptare të përfshihen në rrjetet globale të rezervimeve dhe besnikërisë së këtyre grupeve.

Dikanović sqaron se në hartë janë përfshirë vetëm hotelet aktive me pesë yje. Janë përjashtuar projektet ende në zhvillim, koleksionet që kanë vetëm marrëveshje afiliimi, si dhe grupet lokale dhe rajonale. Për këtë arsye, harta nuk paraqet investimet që janë aktualisht në realizim dhe që mund ta zgjerojnë më tej praninë e markave ndërkombëtare në vitet e ardhshme.

Të dhënat sugjerojnë se Shqipëria nuk po konkurron më në tregun rajonal vetëm përmes rritjes së numrit të turistëve. Një tjetër garë po zhvillohet në segmentin premium: ajo për tërheqjen e markave më të njohura ndërkombëtare të hotelerisë dhe investimeve që shoqërojnë hyrjen e tyre në treg. (Ekofin.al)


Video