Mbahet në Austri panairi i bizneseve shqiptare, marrin pjesë firma nga e gjithë Evropa

26 Prill 2025, 17:16Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Panairi i Bizneseve Shqiptare në Austri

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, Fate Velaj së bashku me Ambasadorin e Kosovës, Albinot Bimbashi, dhe deputetin e Parlamentit të Austrisë, Andreas Minnich inauguroi sot edicionin e 5-të të Panairit të Bizneseve Shqiptare në Austri, i organizuar nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri, nën drejtimin e biznesmenit Ylli Blakaj. Në këtë edicion morën pjesë edhe firma shqiptare nga vende të ndryshme të Europës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Velaj u përqendrua në rëndësinë e organizimeve të tilla, të cilat u japin mundësi bizneseve shqiptare të promovojnë produktet e tyre, të shkëmbejnë praktikat më të mira dhe të krijojnë kontakte me tregun gjermanofolës.

Ai theksoi se Ambasada e Shqipërisë në Vjenë ka në qendër të vëmendjes nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, duke inkurajuar bizneset austriake të vizitojnë Shqipërinë dhe anasjelltas, me qëllim njohjen më të mirë të tregjeve përkatëse dhe krijimin e mundësive të reja për partneritete.

Në këtë kuadër, Ambasadori Velaj informoi se, në bisedimet me Guvernatorët e Landeve dhe me Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, ka propozuar krijimin e delegacioneve të biznesit. Ai njoftoi gjithashtu se, së shpejti, një delegacion ekonomik nga krahina e Austrisë së Sipërme, i kryesuar nga Landeswirtschaftsrat-i, do të vizitojë Tiranën. Po ashtu, po punohet që edhe grupe të tjera të organizohen në të ardhmen.

Në mbyllje të fjalës së tij, Ambasadori Fate Velaj theksoi se Ambasada e Shqipërisë në Vjenë është shtëpia e madhe e të gjithë shqiptarëve dhe i ftoi ata të jenë të angazhuar për të përfaqësuar sa më denjësisht komunitetin shqiptar në institucionet austriake, gjithnjë duke pasur mbështetjen e Ambasadës dhe të shtetit amë.

Video