Nga Ing. Gjeolog Dhori Dapi*
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, një nga institucionet i konsideruar tashmë si pjesë e identitetit kombëtar, i themeluar vetëm 10 vjet mbas shpalljes se Pavarësisë se Shqipërisë.
Shumë mund, dije dhe dashuri për vendin qëndrojnë në themelet e këtij institucioni, një nga më të vjetërit në vendin tonë.
Ky institucion vepron në mbështetje të Ligjit nr. 111/2015 “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar” i cili ka për qëllim të përcaktojë parimet e organizimit, drejtimit, bazat dhe detyrat e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Ky ligj rregullon marrëdhëniet ndërmjet Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe sektorëve publik e privat, për nxitjen e shfrytëzimit të resurseve minerare në përfitim maksimal të publikut.
Lind pyetja e thjeshtë, por jashtëzakonisht e rëndësishme: cilët janë këto resurse minerare?
Përgjigjja është po aq e thjeshtë dhe po aq e rëndësishme: Uji, Nafta dhe Mineralet. Në historinë e doktrinave ekonomike thuhet se ligjet e ekonomisë janë si notat në pentagram. Me këto pak nota mund të krijojmë muzikë nga më e rëndomta deri tek më madhështorja, varet si i kombinojmë këto nota duke shprehur atë c’ka ndjejmë. E njëjta gjë ndodh edhe me ligjet e ekonomisë, me ato pak kombinime ligjore dhe ekonomike mund të ndërtojmë vlera dhe antivlera diametralisht të skajshme. Këto lloj kombinimesh japin produkte të cilat lehtësojnë apo vështirësojnë jetën e gjithë secilit.
Nëse ky është vetëm një ingranazh në mekanizmin e ndërlikuar të shtetit ai duhet të jetë në sinkron të plotë me të gjithë mekanizmat e tjerë.
Është fondamentale për një institucion të qëndrueshëm të bëj një analizë të thellë të prejardhjes se tij, fazave të zhvillimit në kohë e hapësirë, në sisteme të ndryshme, gjendjes së sotshme dhe vizionit për të ardhmen. Ky institucion nder këto 100 vite jetese e mbijetese ka pranuar dhe ka mbajtur në gjirin e vetë përveç specialistëve gjeologë dhe personelit të përkushtuar edhe disa gjenerata intelektualësh të mirëfilltë, shqiptarë dhe të huaj. Një retrospektivë e shpejt, por e rëndësishme në aspektin intelektual dhe etik, herë pas here, bëhet mëse e nevojshme, në kohë dhe situata të caktuara.
Gjej rastin të theksoj se Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është ngritur dhe fuqizuar ndër vite edhe me ndihmën e paçmuar edhe të gjeologëve të huaj kontributi i të cilëve duhet ta përmendim jo vetëm për respekt, por për të kuptuar se siç thotë populli “nuk bëhet një stan me lepuj”, por me burra të ditur, të mençur e të përkushtuar. Po kështu, gjeologët shqiptarë ndër vite, i dhanë emër këtij Institucioni dhe me dijet e përkushtimin e tyre ndikuan ndjeshëm jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në vetë jetën e banorëve në vendet ku ata punuan e ndërtuan vepra madhështore. Ata krijuan gjeneratat e tyre të intelektualëve shumë planësh.
Përshkrimi i veprimtarisë së tyre edhe pse shumë narrative na bën të kuptojmë se vetëm këta njerëz të përgatitur jo vetëm profesionalisht por mbi te gjitha të kulturuar dhe shpesh të nënvlerësuar, kanë vënë interesat e këtij kombi para gjithçkaje. Vetëm me “idealistë” të tillë shoqëria njerëzore bën hapat e saj përpara.
Uji - Kjo pasuri e paçmuar me të cilin Zoti e ka bekuar Shqipërinë do trajtuar me shumë vizion. Menaxhimi i ujërave këto 10 vitet e fundit ka pësuar një rritje cilësore tashmë thellësisht të dukshme e të prekshme. Ujërat janë resurse të ripërtëritshme, por edhe ato kanë kufijtë e vetë. Mbi shfrytëzimi i ujërave apo keq menaxhimi i tyre i kushton shumë këtij vendi. Shqipëria dhe vetë institucioni i Shërbimit Gjeologjik kanë nevojë për sisteme të reja monitorimi të ujërave nëntokësore tashmë plotësisht të amortizuara. Rritja profesionale e stafit duhet të kalojë në një nivel tjetër referuar qasjeve të Direktivës Kuadër të Ujit si edhe detyrimeve që ka vendi në kuadrin e kapitullit 27 “Mjedisi” për raportim në BE.
Ujërat si ato sipërfaqësore dhe ato nëntokësore janë të shpërndara jo uniformisht në territorin shqiptar. Një inventarizim i thellë i resurseve ujore në vendin tonë duhet bërë nga organet e specializuara si Shërbimi Gjeologjik Shqiptar duke krijuar një database kombëtare që mund të raportohet në sistemin WISE 2016.
Në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale, që sot janë mëse të dukshme, një filozofi e re për drejtimet zhvillimore duhet aplikuar. Krahas ruajtjes së burimeve ujore që zotëron vendi duhen punuar seriozisht për sigurimin e burimeve të reja alternative. Bujqësia, turizmi, industria, furnizimi me ujë të pijshëm i popullsisë duhet t’i drejtohen tashmë kërkimit dhe shfrytëzimit të burimeve konvencionale të ujit të freskët. Në rastin më të mirë duhet të bëhet rivlerësimi i ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore jo vetëm në tokë, por edhe në substratin detar. Sfidat dhe mundësitë janë të pafundme. Burimet e reja duhen vënë në dispozicion të ekonomisë.
Një analizë e mirëfilltë e burimeve financiare të institucionit, kapaciteteve tekniko-profesionale të stafeve ekzistuese, kërkesave që ka Qeveria Shqiptare si edhe vetë vendi, duhet t`i paraprijë një ndryshimi themelor strukturor. Gjetja e rrugëve të reja për sigurimin e burimeve të reja financiare dhe njerëzore mbeten jo thjesht si shprehje, por në plan të parë mbeten faktorë zhvillimi për vendin.
Nafta - Floriri i zi, e cila nuk ka ngelur jashtë vëmendjes së Shërbimit Gjeologjik Shqiptar deri më sot. Ashtu si edhe uji, hidrokarburet janë zbuluar në disa vende të caktuara në territorin e vendit. Ka patur dhe ka ide për kërkime të reja nën dritën e ri-interpretimeve për gjeologjinë strukturore të Shqipërisë. Përkrahja e ideve të reja mund të gjenerojë rezultate pozitive të paparashikueshme dhe mund t’i jap një shtysë të re e të fortë mendimit shkencor dhe ekonomisë së vendit.
Një Drejtori e vogël ndodhet në qytetin e Fierit, me vetëm disa specialistë, por shumë e madhe për trashëgiminë që ajo mbart. Një tjetër Drejtori në Tiranë, ajo e Gjeologjisë Detare, e themeluar zyrtarisht si e tillë në vitin 2014, bashkëpunon dhe kontribuon edhe në kërkim-zbulimin e naftës me anë të projekteve të veta. Pyetja që shtrohet është: a mjaftojnë këto struktura për qëllimin për të cilin janë strukturuar si të tilla? A duhet të kenë rezultate më konkrete? A janë në gjendje me stafin dhe mundësitë financiare aktuale t`i shërbejnë vendit? Edhe në këtë fushë duhet të jemi më vizionarë. Rritja e bashkëpunimit dhe shfrytëzimi i sinenergjive të institucioneve që operojnë direkt apo indirekt në fushën e naftës dhe gazit duhet të rritet ndjeshëm. Por si arrihet kjo? Përgjigja është jo e lehtë, por dëshira për të rritur efiçiencën si në fushën e ujërave ashtu edhe të naftës ngelet prioritare.
Ndryshimet duhet të fillojnë që nga mentalitetet e stafeve dhe institucioneve, por nëse në rastin e parë duhet edukim dhe ndërgjegjësim në rastin e dytë duhen përmirësime ligjore. Detyrë e çdo institucioni është të dëgjojë zërin e specialistëve, ta respektojë atë, ta bëj të përshtatshëm për t`jua paraqitur vendim marrësve dhe të jetë në gjendje të zbatoje vendimet që do të merren mbi këto baza.
Mineralet – Burim tradicional i gjenerimit të të ardhurave në Shqipëri. Nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar trajtohen ligjërisht kërkesat për pajisjen me licencë për kërkim-zbulimin e mineraleve. Burimet minerale nuk janë të rinovueshme apo të ripërtëritshme si uji dhe si të tilla rezervat minerale tradicionale të kromit, bakrit, hekur-nikeli etj., kanë një kufi të përfundimit të tyre. Sa më shumë studime gjeologjike me besueshmëri të larte, aq më shumë sheshe perspektive për kërkimin e mineraleve do të kemi, aq më shumë ndërmarrje të reja, punësim të lartë, përmirësim të kushteve social-ekonomike të popullsisë dhe të ardhura shtesë për ekonominë shqiptare.
Tendenca sot në Shqipëri, ashtu si në shumë vend të botës, ka trendin për kërkimin e minierave kritike/të rralla.
Në vitin 2022 nga Shërbimi Gjeologjik Europian, ku edhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është anëtare me të drejta të plota, është përcaktuar lista e re e mineraleve kritike duke përdorur metodat më të përditësuara shkencore për të vlerësuar mineralet kritike. Pjesa më e madhe në listën e re është rezultat i ndarjes së elementeve të tokave të rralla dhe elementeve të grupit të platinit. Lista e 2022 e mineraleve kritike shton nikelin dhe zinkun. Mineralet kritike duhet dhe mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë tonë kombëtare, zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe infrastrukturën.
Minerale të tilla si litiumi, indiumi, germaniumi, platini, fosforitet, etj., janë nga më të kërkuarit në ekonominë evropiane dhe botërore. Sot është i nevojshëm një menaxhim më efikas për kërkim-zbulimin e tyre. Kërkimi shkencor për to duhet të mbështetet në një platformë të qartë dhe të ndërtuar saktë me një teknik profesionale dhe bashkëkohore. Ky lloj menaxhimi i mirë organizuar do te ofronte më shumë sukses zgjidhje shumë ekonomike për vendit tonë.
Për të tre këto fusha, jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin tonë, zotërues i këtyre aseteve, për rritjen sadopak të nivelit ekonomik të këtij vendi, një paketë me përmbajtje përmirësimesh ligjore për menaxhimin e integruar të ujit, naftës dhe mineraleve në aspektin që i trajton Shërbimi Gjeologjik, bëhet shumë e nevojshëm. Kjo merr vlera të veçanta në situatën ekonomike që kalojmë. Mekanizma më të mirë financiare nevojiten për nxitjen dhe motivimin e stafeve të specialistëve. Baza laboratorike e mbi të gjitha rritja cilësore e stafeve është një sfidë më vete. Prezantimi më i mirë dhe plani e programi i masave për kalimin e institucionit në listën e institucioneve të kërkimit shkencor do të ringjallte rritjen profesionale aq shumë të kërkuar, do të nxiste angazhimin e specialistëve të rinj dhe do të krijonte premisa më të mira për ardhjen e të rinjve më të përgatitura në institucion. Një program masash, jo formal por real, i arritshëm dhe me këmbët në tokë duhet t’i propozohet Qeverise për fuqizimin e këtij Institucioni.
Mundësitë për ta kthyer Institucionin në krye të vendit, me efiçiencë të plotë, ashtu siç ka lulëzuar më parë nuk mungojnë.
Vetë institucioni duhet të rrisë brenda një periudhë të relativisht të shkurtër përpjekjet e tija për gjetjen e burimeve alternativë financiare nëpërmjet aplikimit dhe pjesëmarrjes në projekte të tjerë e kryesisht ato të financuara nga BE.
Institucioni duhet të shikohet si vendi ku çdokush mund të japë kontributin e tij dhe jo si vend ku vegjetohet apo bihet në limonti për të arritur deri tek letargjia e stafit.
Një menaxher i mirë është ai që realizon ato që i kërkohen me mjetet që ka dhe jo me mjetet që do të donte të kishte.
***
*Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Përgjegjës i Sektorit te Monitorimit te lejeve te Kërkimit - Zbulimit