"Pikë kthese" apo "xhaketë e qepur me porosi"?!

18 June 2022, 08:57Pikëpamje SHKRUAR NGA ERION DASHO
"Pikë kthese" apo "xhaketë e qepur me porosi"?!
Erion Dasho

Kur disa portale publikuan informacione të shkëputura nga projektligji për spitalet, e përshëndeta këtë ndërmarrje sepse pjesët e projektligjit të cilave u referoheshin lajmet, nuk ishin aspak të këqija.

Lejimi i praktikës private brenda sektorit publik dhe mundësia që pacientët të tejkalojnë listat e pritjes apo të përfitojnë kushte më të mira hotelerie kundrejt pagesës, janë ide për t'u vlerësuar që kanë patur sukses në shumë vende ku janë zbatuar.

POR DARDHA E KA BISHTIN PAS DHE DIFERENCA BËHET NGA DETAJET!

NJË ANALIZË KRAHASUESE E LIGJIT AKTUAL KUNDREJT ATIJ EKZISTUES E NXERR ZBULUAR RILINDJEN, LIGJIN E RI DHE, PËRGJITHËSISHT, DEMAGOGJINË TASHMË TË FAMSHME RILINDASE!

Le të nisim analizën!

*

Projektligji i ri po propagandohet nga megafonët e Rilindjes si "pika e kthesës" dhe "fillimi i transformimit të kujdesit shëndetësor shqiptar". Duke e krahasuar këtë projektligj me kuadrin ligjor në fuqi, evidentohen të paktën tre pika që e rrëzojnë këtë pretendim:

E para, kush e ka penguar deri tani autonominë spitalore dhe pse kjo “kthesë” merret më shumë se 9 vjet pas ardhjes në pushtet të Rilindjes? Ligji në fuqi për shërbimin spitalor i miratuar në vitin 2003 e lejon autonominë e spitaleve kur përcakton se spitalet publike janë institucione jofitimprurëse me buxhet të pavarur. Për më tepër, në vitet 2005 dhe 2009 janë miratuar VKM dhe ndërmarrë hapa konkretë në fushën e autonomisë në parësor dhe spitalor, ndërkohë që projekti i Bankës Botërore në vitin 2008 hartoi kuadrin e plotë rregullator të autonomisë për të gjithë nivelet e kujdesit shëndetësor. E vërteta është se askush nuk e ka penguar Rilindjen, përveç dëshirës së shfrenuar të ministrave të saj për të kontrolluar gjithçka që ndodh në sistemin shëndetësor, deri edhe në emërimin e një infermiereje fshati apo pastrueseje në spital!

E dyta, në ligjin ekzistues përcaktohen si organe drejtuese të autoritetit spitalor të qarkut: 1. Këshilli Administrativ, 2. Drejtoria dhe 3. Komisioni Mjekësor. A janë krijuar dhe kanë funksionuar ndonjëherë Këshillat Administrativë të spitaleve si organi më i lartë drejtues dhe garantues i autonomisë? Nëse jo, kush përgjigjet për këtë shkelje të ligjit? Nëse me ligj është Këshilli Administrativ që zgjedh Drejtorin, përse para disa vitesh u inskenua farsa me përzgjedhjen e drejtorëve të spitaleve nga ministria ku komisioni "i pavarur" i dha fitoren klarinetistëve para profesionistëve?!

E treta, në nenin 6 te projektigjit të ri reklamohet krijimi i “Komitetit Kombëtar për Planifikimin Spitalor”. Në fakt, në nenin 38 të ligjit ekzistues përcaktohet se: “Pranë Ministrit të Shëndetësisë ushtron veprimtarinë e vet Komiteti Shtetëror për Planifikimin Spitalor”. Pse shitet si gjë e re një koncept i sanksionuar prej vitesh? Për më tepër, a ekziston dhe a funksionon kjo strukturë sot? Nëse jo, pse është shkelur sërish ligji?!

*

Në gjykimin tim, zhurma mediatike me këtë projekligj bëhet për disa arsye, nga të cilat po përmend vetëm dy që janë më evidentet:

E para, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga hetimet që po bën SPAK rreth skandaleve të PPP-ve në shëndetësi si Sterilizimi, Laboratorët, Check-up, etj. Në se kryhen me ndershmëri, hetimet e SPAK me siguri do të provojnë se për këtë abuzim makabër me paret e shqiptarëve nuk janë fajtorë një grup nëpunësish dhe antarë komisionesh. Përkundrazi urdhrat janë politikë dhe vijnë nga vetë kryeministri dhe një grusht ministrash rreth tij. Të njëjtët që frymëzuan PPP-të e shëndetësisë, ishin ata që frymëzuan incineratorët dhe rrugët ku një kilometër kushton dhjetëra milionë euro!

E dyta, shtron rrugën "ligjore” për funksionimin e Spitalit Memorial të Fierit dhe ndoshta edhe të strukturave të tjera hibride, me qëllim që ato të operojnë lirshëm dhe të arrijnë të papenguara qëllime që ende nuk janë bërë publike. Spitali i Fierit, një dhuratë e çmuar e një vendi mik në kushte të vështira, u keqpërdor politikisht. Së pari, u ndërtua jashtë çdo standardi planifikimi dhe zbatimi për të kënaqur orekset elektorale të Ramës. Së dyti, vazhdon të funksionojë pa transparencë financiare dhe operacionale. Kush e paguan faturën e funksionimit të këtij spitali? Pse mban ai emrin e një grupi spitalor privat? A synon projektligji i ri të ofrojë mburojë ligjore për një shkelje flagrante të ligjit, të ndërmarrë në kushte konflikti interesi për arsye ende të panjohura?!

*

Por çfarë i mungon projektligjit të ri spitalor? Sërish, po përmend vetëm dy mungesat më flagrante:

Së pari, mungon e shumëpritura reformë financiare. Për shkak të kompleksitetit të financimit shëndetësor, spitalet nuk mund të paguhen më me buxhete historikë dhe pagesa nga xhepi i pacientit. Mekanizmi i pagesës mbi performancë i mundësuar nga DRG-të është alfa e reformës shëndetësore. Pa reformën në financim, çdo reformë tjetër është e paplotë dhe e destinuar të dështojë. Ndër të tjera, autonomia duhet të nënkuptojë që spitali të shpërblehet sipas performancës. Në mungesë të sistemit të DRG-ve, të gjithë rastet e rënda do të rendin drejt spitaleve cilësorë dhe paguesi (Fondi i Sigurimit Shëndetësor) nuk ka asnjë mundësi të bëjë diferencimin.

Së dyti, spitalet shqiptarë janë të padigjitalizuar. Në një spital ku mungon kartela elektronike e pacientit, nuk mund të zbatohet siç duhet as autonomia dhe as masat e tjera reformuese që pretendohen në projektligjin e ri. Në një terren të padigjitalizuar çdo reformë rrezikon të përfundojë në kaos. Marrim konceptin e pagesës për të tejkaluar radhën e pritjes. Vetëm nëpërmjet kartelës ekektronike kontrollohet zbatimi i kësaj mase, pasi duhet garanci që personi që paguan ekstra, nuk përfiton në kurriz të personave me probleme të rënda shëndetësore me rrezik për jetën. Ose që personi që paguan dhe ai që nuk paguan trajtohen ekzaktësisht njëlloj nga pikëpamja profesionale (dhe i vetmi dallim është cilësia më e mirë e akomodimit, ushqimi i servirur me menu, etj.)

*

Projektligji i ri për spitalet me sa duket është thjesht demagogjia e radhës e Rilindjes.

Sikundër para disa ditësh u reklamua me bujë çelja e qendrës së cilësisë dhe nisja e programit të akreditimit spitalor (të cilat ekzistonin që prej vitit 2005, por nuk u mbështetën asnjë ditë nga rilindja), edhe projektligji i ri nuk është gjë tjetër veçse arnim me mballoma në dukje "moderne" i ligjeve të cilat Rilindja nuk i zbatoi kurrë.

Si përfundim, mund të thuhet me plot gojën se e trumbetuara si “pikë kthese në sistemin shëndetësor” është në fakt një “xhaketë e qepur me porosi” për të kënaqur ineresa klienteliste dhe është e destinuar të kthehet në dështimin ose mashtrimin e radhës që rilindja u bën shqiptarëve!


Video