Një skemë mashtrimi në emër të Ambasadës Amerikane në Tiranë është zbuluar së fundmi, çka ka sjellë edhe reagimin e selisë diplomatike në Tiranë.
Mesa duket, bëhet fjalë për një projekt të rremë që është përhapur në rrjetet sociale dhe Instagram, që pretendon se ka lidhje me Ambasadën e SHBA në Tiranë dhe Departamentin Amerikan të Shtetit.
Sipas një monitorimi që kemi kryer në rrjetet sociale, faqja me emrin “lttaus al”, pretendon se organizon short për zgjedhjen e studentëve që të studiojnë në SHBA, por në të vërtetë është mashtrim.
Është e paqartë nëse poseduesit e kësaj faqeje kërkojnë shuma monetare ndaj qytetarëve për të marrë pjesë në këtë “short”.
Ajo që bie në sy është se disa prej organizatorëve të kësaj skeme shfaqin publikisht identitetin e tyre, ndonëse janë në shkelje të hapur të ligjit.
Reagimi i ambasadës së SHBA në Tiranë:
Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese.
U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën.