VIDEO/ Ilir Meta kujton nga burgu agresionin ndaj "News 24": Një akt kriminal kundër fjalës së lirë

9 August 2026, 19:36Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

VIDEO/ Ilir Meta kujton nga burgu agresionin ndaj "News 24": Një

Ilir Meta ka kujtuar një vjetorin e nxjerrjes nga ambientet, e televizionit News 24.

Ai thotë se ajo ngjarje, ishte një akt kriminal kundër fjalës së lire.

Reagimi i Metës

Sot bëhet një vit nga agresioni i armatosur dhe ndërprerja me dhunë e sinjalit të “News 24”, një akt kriminal që nuk goditi vetëm një televizion, por vetë lirinë e fjalës dhe pavarësinë e medias në Shqipëri.

Një vit më pas, situata është edhe më e rëndë.

Shqipëria është zhytur edhe më thellë në krizën e lirisë së medias sipas raporteve të organizatave prestigjoze ndërkombëtare. Gazetarët e pavarur intimidohen, kërcënohen dhe sulmohen, ndërsa çdo zë kritik ndaj regjimit linçohet si armik.

Një demokraci nuk matet me numrin e televizioneve që transmetojnë, por me lirinë që kanë për të thënë të vërtetën, sidomos atë të vërtetë që pushteti nuk dëshiron ta dëgjojë.

Edi Rama është shndërruar në simbolin e një autokrati që nuk e duron kritikën, nuk pranon llogaridhënien dhe e sheh median e pavarur si kërcënim për regjimin e tij.

Por gazetarët nuk janë shërbëtorë të pushtetit dhe liria e fjalës nuk kërkon leje nga Kryeministri.

As propaganda, as gënjeshtrat e prodhuara nga altoparlantët mediatikë të Qeverisë nuk mund të quhen gazetari.

Gazetaria nuk është propagandë. Gazetaria është e vërteta, pyetja, kritika dhe llogaridhënia.

Prandaj, duhet të jemi të gjithë bashkë në mbrojtje të gazetarëve profesionistë, të medias së pavarur dhe të së drejtës së çdo qytetari për të dëgjuar edhe ato të vërteta që pushteti do t’i fshehë.

Në asnjë rrethanë, jeta, karriera, dinjiteti dhe kushtet e punës së një gazetari nuk mund të varen nga vullneti i një politikani, i një qeverie apo i një oligarku.

Sepse media e lirë nuk mund të ekzistojë nën frikë dhe censurë dhe demokracia nuk mund të mbijetojë pa zëra që guxojnë të thonë troç të vërtetën.

Për këtë arsye, largimi i “Rilindjes” dhe i këtij Kryeministri nga pushteti nuk është thjesht një betejë politike.

Është një domosdoshmëri për të shpëtuar demokracinë, lirinë e medias dhe për të drejtën e çdo shqiptari për të dëgjuar të vërtetën.

Liria e shprehjes është një e drejtë themelore e njeriut dhe një nga shtyllat jetike të një shoqërie moderne e demokratike. Ajo është e pandashme nga llogaridhënia e institucioneve publike dhe nga kontrolli që qytetarët duhet të ushtrojnë mbi pushtetin.

Liria e medias është një nga treguesit më të rëndësishëm të gjendjes së demokracisë. Aty ku gazetarët frikësohen, kërcënohen apo heshtin, ku media kontrollohet nga pushteti dhe llogaridhënia zëvendësohet nga propaganda, aty ekziston diktatura.

Për Shqipërinë, një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, regresi në lirinë dhe pavarësinë e medias është i papranueshëm.


Video