SPAK dhe autoritetet finlandeze japin detaje nga goditja grupit kriminal: Droga trafikohej nga Spanja e Holanda. "Kokat" e rrjetit...

3 June 2025, 13:05Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
SPAK dhe autoritetet finlandeze japin detaje nga goditja grupit kriminal: Droga
SPAK dhe autoritetet finlandeze japin detaje nga goditja grupit kriminal

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar një operacion të përbashkët me autoritetet finlandeze kundër disa grupeve kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se grupet merreshin me trafikimin e sasive të konsiderueshme të drogave sintetike, kokainë, marijuanë, etj.

Ai u shpreh se ky operacion është dëshmi e qartë se krimi ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën.

“Ky hetim përfaqëson jo vetëm një sukses të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe një arritje e rëndësishme për historinë e SPAK. Krijimi i njësisë së përbashkët hetimore mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze. Ky bashkëpunim është dëshmi e qartë se krimi i organizuar ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën. Na është dhënë mundësia të godasim disa grupe kriminale të trafikut të drogës, përfshirë kokainë, drogë sintetike dhe marijuanë. Rezultatet janë fryt i një pune të gjatë dhe të përbashkët”, u shpreh Dumani në konferencën për media.

“Por njëkohësisht hetimi është tregues i besimit që autoritetet ligjzbatuese nordike i kanë dhënë strukturave tona të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit”, tha Dumani.

Prokurori i posaçëm, Alfred Shehu, bëri me dije se SPAK kërkoi 11 masa sigurimi arrest me burg, të cilat janë pranuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Shehu bëri me dije se nga masat e sigurimit, janë ekzekutuar nëntë, ndërsa dy persona të tjerë vijojnë në kërkim.

Gjatë zbatimit të masave të sigurimit janë sekuestruar tetë automjete, telefona celularë dhe shumë dokumenteve ku një pjesë e konsiderueshme e tyre konsiderohen me vlerë për hetimin dhe ka të dhëna për komunikimin kriminal të vetë personave nën hetim.

Ndërsa drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit të Finlandës, e nisi fjalën e tij e nisi me një falenderim për SPAK dhe të gjithë kolegët në Shqipëri, pas operacionit të përbashkët antidrogë.

Ai theksoi se hetimi masiv ka nisur rreth dy vite më parë në Finlandë, ku u arrestuan rreth 55 persona.

“Në kuadër të hetimit, u sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike, të trafikuara nga Spanja e Holanda. Sasia totale e drogës së sekuestruar, 170 kg anfetaminë, 10 kg kokainë, 100 kg marijuanë dhe disa tableta të lëndës narkotike”, u shpreh ai.

Sipas tij, nga hetimet ka rezultuar se drejtuesit kryesorë të këtij rrjeti trafikimi ishin shtetas shqiptarë.


Video