
Kadri Muça, pronar i një HEC-i privat në zonën e Bulqizës është proceduar në gjendje të lirë nga policia, pasi dyshohet se ka helmuar mbi 50 banorëve nga uji në zonën e Gjoricës.
Ndërkohë ditën e sotme raportohet se ka pasur vetëm 3 raste personash të helmuar nga uji që janë paraqitur në qendrën shëndetësorë Gjoricë në Bulqizë.
Ujësjellësi vazhdon të jetë i bllokuar nga Njësia vendore e kujdesit shëndetësor Bulqizë deri në daljen e analizave përfundimtarë që përcaktojnë shkaqet e ndotjes.
Kujtojmë se një ditë më parë mbi 50 banorë të fshatit Gjoricë në Bulqizë u paraqitën në qendrën shëndetësore me simptoma helmimi.
Shkaku kryesor i helmimit dyshohet të jetë bërë uji i pijshëm që furnizohet zona, teksa banorët kanë ngritur dyshime se uji ka dalë i kontaminuar.
Banorët janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Gjoricës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa simptomat janë diarre e vjellje
Njoftimi i policisë:
Ndoti ujin e pijshëm, me të cilin furnizohej fshati Gjoricë, dhe për pasojë u helmuan disa banorë të këtij fshati, procedohet penalisht 64-vjeçari.
Në vijim të informacionit të dhënë me datë 03.06.2023, sipas të cilit në qendrën shëndetësore të fshatit Gjoricë, ishin paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, disa banorë të fshatit, të cilët kishin shfaqur simptoma helmimi, ju bëjmë me dije se:
Nga veprimet e shpejta verifikuese, të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, u bë e mundur zbardhja e plotë ligjore e këtij rasti.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 64 vjeç, banues në Peshkopi, Dibër, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se për shkak të montimit të një tubi plastik, nga 64-vjeçari, ujërat e pijshëm të fshatit Gjoricë, ishin përzier me ujërat e zeza të këtij fshati, dhe kjo kishte shkaktuar helmimin nga uji, të disa banorëve të këtij fshati.
Pasi kanë marrë ndihmën mjëkësore, të gjithë banorët janë larguar në banesat e tyre dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.