Administrata Trum planifikon të pezullojë lëshimin e vizave të emigracionit për 75 vende. Mes vendeve të prekura janë edhe Shqipëria me Kosovën.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 21 janar.
Sipas CNN, pezullimi nuk vlen për vizat jo-imigruese si vizat studentore dhe turistike, dhe si e tillë nuk do të zbatohet edhe për ata që kërkojnë të udhëtojnë për në Kupën e Botës në SHBA që zhvillohet këtë verë.
Kategoritë e vizave të prekura janë bashkimi familjar, punësimi, birësimi, emigrantët specialë, emigrim diversiteti (lotaria).
Vendimi bazohet në një memo të brendshme të Departamentit të Shtetit, e cila udhëzon zyrtarët konsullorë të refuzojnë aplikimet për vizë emigruese në bazë të dispozitës ligjore të njohur si “public charge”, që synon të ndalojë hyrjen e personave që mund të bëhen barrë për sistemin e ndihmës publike në SHBA.
Departamenti Amerikan i Shtetit njofton se ngrirja e përpunimit të vizave synon vendet nga të cilat, sipas autoriteteve amerikane, një përqindje e lartë e emigrantëve përfundojnë duke përfituar nga skemat e ndihmës sociale.
Sipas DASH, masa do të mbetet në fuqi derisa SHBA-të të sigurohen se emigrantët e rinj nuk do të përbëjnë barrë për taksapaguesit amerikanë, në kuadër të politikës “Amerika së Pari” të administratës Trump.
Sipas udhëzimeve të reja, oficerët konsullorë duhet të vlerësojnë faktorë të tillë si gjendja shëndetësore, mosha, aftësia në gjuhën angleze, situata financiare dhe mundësia e nevojës për kujdes afatgjatë shëndetësor.
Fox News raporton se aplikantë më të moshuar, me probleme shëndetësore ose që kanë përfituar më parë ndihmë shtetërore, mund të përballen me refuzim të vizës.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i cituar nga Fox Neës, tha se autoritetet amerikane do të përdorin kompetencat e tyre ligjore për të parandaluar hyrjen e individëve që mund të shfrytëzojnë sistemin e ndihmave sociale, ndërsa rishikimi i plotë i politikave të emigracionit është ende në proces.