Përgatitej për stërvitje, policit i shkrepet arma dhe plagos kolegun (EMRAT)

16 February 2024, 10:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Përgatitej për stërvitje, policit i shkrepet arma dhe plagos
Foto ilustruese

Një punonjës policie në Tiranë është plagosur gabimisht nga kolegu i tij teksa ky i fundit po përgatitej për stërvitje.

Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte (15 Shkurt) në ambientet e Njësisë së Sigurisë Publike Tiranë.

Inspektori Kostandin Çipi gjatë përgatitjes për stërvitje iu shkrep arma e shërbimit nga pakujdesia dhe plagosi në këmbë kolegun e tij Xhojsi Lamaj. Ky i fundit u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, punonjësi i policisë Kostandin Çipi është pezulluar nga detyra. Menjëherë është ngritur grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe veprimet procedurale për këtë rast po kryhen nga AMP.

Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim të thelluar administrativ për mosrespektimin e procedurave standarde për mbajtjen dhe administrimin e armëve të brezit, nga punonjësit e Policisë.

Në përfundim të këtyre veprimeve, Prokuroria, Policia Gjyqësore dhe AMP kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë, për punonjësin e Policisë Kostandim Çipi për plagosje nga pakujdesia.


Video