Nga komunizmi e deri në ditët e sotme: Historiku i trajtimit të mbetjeve në Shqipëri

3 May 2023, 22:08Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nga komunizmi e deri në ditët e sotme: Historiku i trajtimit të
Historiku i trajtimit të mbetjeve në Shqipëri

Në nisje të dekadës së shkuar, Shqipëria ishte kthyer në një gropë të madhe mbetjesh. Kishte vetëm dy varreza të ligjshme plehrash, të cilat merrnin edhe jetë njerëzish. Djegia e mbetjeve bëhej në fusha të hapura. Ndërkaq, riciklimi ishte diçka e huaj. Opozita demokratike e cila dikur e kishte kundërshtuar – pasi kishte ardhur në pushtet e kishte miratuar ligjin që lejonte importin e mbetjeve. Pra, plehrat nuk kishte kush t’i ndalte më. Dhe shqiptarët do të bashkëjetonin me to.

Gjendja dukej e pashpresë. Shqipërinë e kishin marrë plehrat. Përballë tyre, shqiptarëve do t’u duhej ta përmbysnin për ta ndryshuar realitetin, i cili po bëhej më tragjik nga dita në ditë. Një dekadë pas, gjithçka duket ndryshe. Mirëpo, alarmi është po i njëjti. Jo sepse rreziku ka mbetur i njëjtë. Por sepse të njëjtë kanë mbetur politikanët dhe interesat e tyre, kështu e nis dokumentarin për mbetjet emisioni “Inside Story” në TCH. Në këtë dokumentar, zbulohet historiku i trajtimit të mbetjeve në Shqipëri.

Në nisje të dekadës së shkuar, Shqipëria ishte kthyer në një gropë të madhe mbetjesh. Kishte vetëm dy varreza të ligjshme plehrash, të cilat merrnin edhe jetë njerëzish. Djegia e mbetjeve bëhej në fusha të hapura. Ndërkaq, riciklimi ishte diçka e huaj.

Nisma e parë për menaxhimin e mbetjeve kishte karakter krejtësisht ekonomik dhe aspak mjedisor. Në fillim të viteve 60-të, u vendos parimi i riciklimit dhe ripërdorimit absolut, për të gjitha kategoritë e ambalazheve. Në po atë periudhë u miratuan disa dekrete për mbrojtjen e ujit dhe tokës.

Banaliteti i komunizmit do të ishte fatal për natyrën. Në kongresin e V-të të Partisë Popullore të Shqipërisë objektiv u vendos që për pesë vjet të hapeshin 115 mijë hektarë tokë pune. Partia i kishte shpallur luftë pyjeve.

Mijëra hektarë pyje u prenë. Shteti kreu krim mjedisor.

Pasi u kujtua se ambienti duhej mbrojtur, pushteti komunist miratoi dekretin me numër 5105 “Për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja”. Në dy dekada, krijuan komitete dhe inspektorate. Fillimisht nuk bënë gjë. Pastaj nuk kishin çfarë të bënin.

Tatëpjeta ekonomike e viteve të 80-ta po e shkatërronte shoqërinë. Rritja ekonomike ishte negative. Borxhi sa një e pesta e ekonomisë.

Shqipëria renditej në grupin e 15 vendeve më të varfra të botës. Ishte koha kur në Shqipëri, slogani më i shpeshtë ishte “bar do hamë dhe parimet e marksizëm leninizmit nuk i shkelim”. Riciklimi mbetej vetëm në letër.

***

Me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1994, plehrat mund të bëheshin edhe më të shumta. Vendimi nr.26 që mbante datë 31.01.1994, vendosi lejimin e importit të mbetjeve jo të rrezikshme. Përmes tij, i hapej rrugë dyndjes së plehrave drejt Shqipërisë. Varfëria që kishte pllakosur vendin i bënte edhe më të rrezikshme vendimet në atë kohë.

Me falimentimin e firmave piramidale, mbi 260 mijë kreditorë kishin humbur të gjitha paratë. Për pasojë, plasi lufta civile, në të cilën u luftua edhe mjedisi. Në mënyra që nuk ishin parë për gjysmë shekulli. Vendi po hynte në mijëvjeçarin e ri gjysmë i shkatërruar dhe pothuaj i pajetueshëm.

Edhe pas 60 vitesh nga nisma e parë, riciklimi vazhdon ende në gjendje të rëndë.

Për dekada, toka, ujërat dhe ajri i shqiptarëve ishin lënë në duar të komiteteve dhe agjencive. Pra, në njëlloj harrese të qëllimshme. Vetëm më 2001, përmes ndryshimeve ligjore, kalohet në nivel ministrie.

Përpjekja e parë serioze për mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve shënohet më 2002.

Ligji përcaktonte kuadrin e përgjithshëm dhe disa procedura për menaxhimin e mbetjeve, kërkesat themelore për rregullimin e marrëdhënies midis veprimtarisë njerëzore dhe mjedisit, duke siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe përbërësve të tij dhe zbatimin e objektivit kushtetues për të pasur një mjedis ekologjikisht të shëndoshë. Në të, për herë të parë gjejmë konceptin e riciklimit.

Teksa importi i mbetjeve të rrezikshme ndalohej, mbetjet jo të rrezikshme mund të importoheshin me miratim qeverie. Ky akt që duhej të ishte në përputhje me direktivat evropiane do të krijonte nevojën e shumë vendimeve dhe do të hapte shumë telashe.

Vetëm një vit pas, një ligj i ri do të rregullonte menaxhimin e mbetjeve të ngurta. Nëpërmjet neneve 8 dhe 26, Ligji 9010, ndaloi importin e çdo lloj mbetjeje (të rrezikshme dhe jo të rrezikshme) për qëllime të tjera përveç përdorimit dhe riciklimit dhe posaçërisht për qëllime të ruajtjes, depozitimit dhe asgjësimit.

Akti i lënë do të përdorej. Përmes një vendimi, Qeveria Nano do të lejonte importimin e mbetjeve për përdorim, përpunim dhe riciklim, në kundërshtim me ligjin 9010.

Ligje që mbetën në letër dhe historiku i fabrikave për shpërbërjen e veturave të vjetra

Një ligj të ri të posaçëm për mbetjet e rrezikshme e miraton qeveria e re. Me të rregullohej, në letër, administrimi i tyre.

Mbetjet ishin kthyer në traumë shoqërore. Çdo gjë që lidhej me to ngjallte debat sepse ato ishin kudo. Por, kjo nuk do e ndalonte qeverinë e re që ta lejonte importin e tyre, me shpjegimin se po lejonte më pak se që lejohej nga vetë Bashkimi Evropian.

Me lejen në xhep, në Xhafzotaj, në rrethin e Durrësit investitorë nga Serbia ngritën një impiant që digjte makina të vjetra nga vendet e BE-së. Kompania turke “KURUM” digjte në uzinën e saj në Elbasan 600 mijë ton makina të vjetra në vit, po nga BE-ja. Shqipëria po kthehej në një varrezë terminale të lloj-lloj mbetjeve të Europës.

Me kosha për grumbullimin e mbetjeve të ngurta ishin pajisur vetëm qytetet, por jo zonat rurale. Bashkitë i depozitonin direkt në lumë.

Mbetjet hidheshin ngado. Në nivel vendi ishin vetëm dy landfille mbetjesh, në Sharrë dhe Bushat. Të kontrolluara, të ligjshme, por me kushte minimale sanitare.

Të tjerat ishin gropa të mëdha ku hidheshin e digjeshin plehrat. Riciklimi kishte mbetur fjalë në letrën që nuk riciklohej.

Meqë në terren nuk po arrinte të bënte asgjë, qeveria iu kthye sërish ligjeve. Më 2011 miratohet e para Strategji Kombëtare e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve.

U miratua ligji organik për mbrojtjen e mjedisit, Ligji 10431, së bashku me ligjin organik për menaxhimin e mbetjeve, Ligji 10463, dhe aktet e tyre nënligjore.

Ligjet për landfillet, incenerimin, ambalazhet, mbetjet e rrezikshme, për grumbullimin, administrimin, diferencimin e mbetjeve dhe eksportin e mjeteve, u bënë pjesë e një pakoje të madhe që me shumë nene e pak hapa mëtonte ta pastronte Shqipërinë. Në katër vjet u miratuan më shumë strategji, plane rajonale dhe plane lokale se në 30 vjet. Asnjëra nuk u zbatua.

Në vend se të hiqeshin, plehrat u bënë monopol i Partisë Demokratike. Vendgrumbullimi i Sharrës ju dha një kompanie. Romët që mblidhnin dhe riciklonin plastikë u përndoqën nga aty dhe nga rrugët e Tiranës.

 


Video