Megaoperacioni anti-drogë, Rrumbullaku jep detaje: U goditën 23 grupe kriminale në vend

14 September 2023, 12:17Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Megaoperacioni anti-drogë, Rrumbullaku jep detaje: U goditën 23 grupe
Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku

Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një dalje para mediave për megaoperacionin antidrogë që çoi në arrestimin e rreth 233 personave në të gjithë vendin, deklaroi se ky operacion “lidhet direkt me të ardhmen e fëmijëve tanë”, pasi është kryer në kuadër të “luftës për tregtimin e lëndëve narkotike pranë ambienteve në shkolla”.

“Për garantimin e sigurisë së nxënësve në shkolla, janë implementuar disa masa të reja. Një prej tyre është intensifikimi i luftës për tregtimin e lëndëve narkotike pranë ambienteve në shkolla. Megaoperacioni i sotëm lidhet direkt me të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Rrumbullaku.

Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve.

“Edhe në këtë megaoperacion ka pasur një shkallë të lartë rrezikshmërie, por profesionalizmi ishte maksimal. Policia e Shtetit është në prag finalizimi të megaoperacioneve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare”, shtoi Rrumbullaku.


Video