Një 82-vjeçar ka humbur jetën pas mesnate në Kukës, shkak i humbjes së jetës dyshohet se është bërë asfiksia, pasi banesa në të cilën jetonte 82-vjeçari është përshirë nga flakët.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 02:40, në afërsi të liqenit të Kukësit, ku flakët përpinë shtëpinë e për pasojë 82-vjeçari Shefik Krasniqi nuk mundi të dalë nga banesa. 82-vjeçari jetonte i vetëm, gjatë periudhës së pandemisë, Krasniqi e konsideronte koronavirusin si vullnet të zotit.
"Kam dalë në qytet për të pirë një kafe se nuk rri dot pa një kafe dhe një teke raki. E gjej një lokal unë për të pirë një kafe. Maskën nuk e përdor se këto janë punët e zotit. Allahu e ka në dorë. Prej zotit nuk ruhem kurrë", ka thënë ai në vitin 2020.
Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një shkëndijë nga soba e druve, e cila ka qenë gjatë gjithë natës e ndezur. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.