Protesta e djeshme në Tiranë mori një kthesë të pazakontë kur turma e protestuesve u zhvendos nga qendra e kryeqytetit drejt autostradës Tiranë–Durrës dhe më pas në aksin që të çon drejt Rinasit.
Marshimi zgjati për rreth pesë orë, duke shkaktuar bllokime të gjata trafiku dhe tensione me forcat e policisë pranë rrugës së aeroportit.
Kjo lëvizje e papritur ngjalli reagime të ndryshme, duke ngritur dhe një pyetjen: Kush e mori vendimin që protestuesit të drejtoheshin drejt Rinasit dhe pse?
Në çdo protestë masive, zgjedhja e itinerarit të lëvizjeve nuk është rastësore.
Ajo përcakton jo vetëm ndikimin politik të protestës, por edhe energjinë e pjesëmarrësve.
Organizatorët e protestës dyshojnë se se ka persona të infiltruar, që prezantohen si policë dhe i drejtuan me plan drejt Rinasit.
Protestuesit kanë ngritur aludime se ata u orientuen drejt Rinasit nga persona të paidentifikuar, për ti lodhur nga marshimi që të shpërndaheshin më pas.
Kujtojmë se, rreth orës 00:26, pas mesnate, protestuesit mbërritën te mbikalimi i Rinasit.
Më pas marshimi vijoi drejt aeroportit të Rinasit, ku qëndruan deri në orën 02:00 të mëngjesit të sotëm.
Policia vendosi kordon në mënyrë që protestuesit të mos arrinin në aeroportin Nënë Tereza.
Uniformat blu u bënë thirrje protestuesve që të mos bllokonin rrugën dhe se veprimet e tyre ishin të paligjshme.
Pas disa minutave rezistencë, qytetarët vendosën të largoheshin pas. Ky marshim u shënua pa incidente dhe konfrontim mes policisë dhe protestueve.
Pavarësisht debatit marshimi përfundoi pa incidente të rënda dhe pa përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Ndërkohë që presim të shohim protestën e sotme, për të kuptuar se si do vijojë marshimi i qytetarëve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016