Faturat e hoteleve të Ahmetajt, Beci: Prekja e korrupsionit të zyrtarëve të lartë të thellohet

29 December 2022, 19:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Faturat e hoteleve të Ahmetajt, Beci: Prekja e korrupsionit të
Eugen Beci

Ish-prokurori Eugen Beci ka deklaruar se pavarësisht vendimit të SPAK për mosfillimin e procedimit për kallëzimin e gazetarit Adriatik Doci, ku zbuloi skandaslin e pagesave të faturave të hoteleve nga Klodian Zoto për ish-ministrin Arben Ahmetaj, sërish ato prova do të jenë të rëndësishme.

I ftuar në emisionin Breaking në Top News, Beci deklaroi se ato prova do i bashkohen dosjes së veçuar të inceneratorëve, ku po heton ministrat dhe ish-ministrat. Sipas tij, prekja e korrupsionit të nivelit të zyrtarëve të lartë duhet të thellohet edhe më tej

"Dje është realizuar një veprim procedurial rutinë për sa i përket një mos fillimi të një procedimi penal për shkak të një kallëzimi të bërë nga një gazetar, dhe për këtë arsye besoj se duhet vlerësuar në mënyrën e proceduarve të përcaktuara, jo në fatin e dosjes së inceneratorëve, nuk kanë gjetur prova që do të shërbenin për të nisur një procedim penal. Por, nëse kallëzuesi nuk bie dakord, atëhere mund të bëjë një ankim në gjykatë. Por, dosja e inceneratorëve nuk ka lidhje me këtë vendim. Ajo ka lidhje me mënyrën se si është trajtuar pjesa e kallëzimit të bërë nga gazetari, pasi pjesët e tjera të kallëzimit duket se do të duhen të trajtohen nëpërmjet dosjeve të veçuara që janë shumë të rëndësishme. Dosjet e veçuara, nga dosja e madhe e inceneratorëve, opinioni publik do të jetë shumë i vëmendshëm për të parë edhe se si do të ecin provat për subjektet e tjera. Unë jam i mendimit që fakti penal duhet hetuar i plotë dhe pastaj të përcaktohen të tërë subjektet dhe jo të bëhet si i arnuar, përcakto një grup të arrestuarisht, pastaj shto grupin tjetër. 

Ka çështje të veçuar, edhe për personazhet që ju thoni, që janë të implikuar nëpërmjet dokumentacioneve dhe provave të administruara, por të veçuara për shkak të teknikës të hetimit që ka ndjekur prokuroria dhe mendoj se do të jetë shumë intersant viti 2023 për të parë se si do të jetë ecuria e këtyre dosjeve të veçuara, pasi duke lexuar njoftimin e SPAK, duket se ka një shpresë për të kuptuar se edhe personazhet të tjerë do duhet të paraqiten në SPAK dhe do duhet të përballen me drejtësinë, për veprimet që kanë kryer kur kanë qenë ministra, zv.kryeministra. Prekja e korrupsionit të nivelit të zyrtarëve të lartë ka filluar, por duhet të thellohet edhe më tej." tha Beci.


Video