Gjykata Kushtetuese mbajti këtë të mërkurë një seancë publike për çështjen e sekuestrimit të pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno nga SPAK.
SPAK ka kërkuar shtyrjen e seancës ndërsa gjykata është tërhequr për vendimin e ndërmjetëm pasi Qyno ka ndryshuar objektin e kërkesës. Avokatët kanë kërkuar që Prokuroria e Posaçme, përveç kthimit të sendeve të gazetarit, të asgjesojë gjithashtu edhe materialet e aksesuara në telefonin e tij.
Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje nga SPAK në dhjetor të vitit të shkuar si dhe iu ushtrua kontroll në banesë me urdhër gjykate si pjesë e një procedim penale për shkelje të sekretit hetimor.
Sipas SPAK, materialet e publikuara në media, përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë në aplikacionin “Sky” dhe për këtë arsye, Elton Qynos i është kërkuar të tregonte sesi i kishte siguruar materiale të tilla që ishin pjesë e akteve hetimore. SPAK i ka kthyer telefonin e të birit, por jo telefonin e tij.
Gazetarit Elton Qyno iu vendos masa detyrim paraqitjeje nën akuzën për korrupsion pasiv në sektorin privat në dosjen që Prokuroria po heton ndaj grupit të Suel Çelës, të shumëkërkuarit të drejtësisë, që me paratë e trafikut të kokainës, kishte shtrirë ndikimin në drejtësi dhe media. Më 14 mars, Apeli i GJKKO e hoqi masën ndaj gazetarit Qyno.