Avokati i Popullit ngre alarmin: Të paraburgosurit po mbahen me muaj të tërë pa vendim gjykate!

19 May 2026, 15:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Avokati i Popullit ngre alarmin: Të paraburgosurit po mbahen me muaj
Avokati i Popullit

Institucioni i Avokati i Popullit ka ngritur alarmin për përdorimin masiv të paraburgimit në Shqipëri, duke evidentuar se sistemi i drejtësisë penale po përballet me mbingarkesë dhe shkelje të vazhdueshme të të drejtave të personave të privuar nga liria.

Sipas Raportit Vjetor 2025, mbi gjysma e popullsisë penitenciare në vend ndodhet në paraburgim, pa një vendim përfundimtar gjykate.

Raporti thekson se 56.8% e personave në burgje janë të paraburgosur, një nivel që rezulton 27.8% mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas analizës së institucionit, kjo tregon përdorim të kufizuar të masave alternative të sigurisë dhe një mbështetje të tepruar te arresti me burg.

Avokati i Popullit vëren se kjo situatë ka sjellë mbipopullim në burgje, përkeqësim të kushteve të jetesës dhe dobësim të funksionit rehabilitues të sistemit penitenciar.

Institucioni evidenton se problematikat nisin që në fazat e para të ndalimit, ku dokumentimi i veprimeve policore, respektimi i garancive procedurale dhe aksesi në mbrojtje juridike, “nuk garantohen në mënyrë të njëtrajtshme”.

Në raport evidentohet gjithashtu se sistemi gjyqësor vazhdon të vuajë nga mungesa e gjyqtarëve dhe vonesat procedurale.

Aktualisht, gjykatat funksionojnë me rreth 66% të numrit të parashikuar të gjyqtarëve, çka sipas Avokatit të Popullit sjell shtyrje të shpeshta të seancave dhe zvarritje të proceseve.

Raporti ngre shqetësim edhe për mbingarkesën në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Burgu i Lezhës, sipas të dhënave të publikuara, ka tejkaluar kapacitetin me rreth 65%, duke reflektuar presion të lartë mbi sistemin penitenciar.

Në përfundim, Avokati i Popullit kërkon forcimin e mekanizmave të kontrollit institucional, përdorim më të gjerë të masave alternative ndaj paraburgimit dhe ndërhyrje urgjente për të shmangur shkeljet e përsëritura të të drejtave të njeriut në sistemin e drejtësisë penale.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video