Aksioni antiterror i SPAK, Agjentë iranianë mes muxhahedinëve të Manzës

20 June 2023, 10:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Aksioni antiterror i SPAK, Agjentë iranianë mes muxhahedinëve
Manzë, Durrës

Muxhahedinët e parë mbërritën në Shqipëri në maj të 2013-s.

Grupet e para u strehuan në banesa të marra me qira nga qeveria amerikane në zonën e Astirit dhe në ambiente të përshtatura në ish-godinën e një universiteti privat në autostradën Tiranë-Durrës.

Grumbullimi i tyre në kampin e Manzës ndodhi vetëm në 2018-n, ndërsa gjatë viteve nga maji 2013-të deri në korrik të 2018-s dyshohet se mes radhëve të muxhahedinëve janë infiltruar agjentë të shërbimeve sekrete iraniane.

Këta agjentë të kamufluar si opozitarë iranianë në Shqipëri, nga brenda kampit dekonspironin jo vetëm operacionet e muxhahedinëve kundër regjimit të Teheranit, por ndërmerrnin edhe sulme terroriste ndaj Shqipërisë.

Rasti tipik është ai i 48-vjeçarit Iranian, Bijan Poladrag. Ai u dënua në dhjetor të vitit të kaluar me 10 vite burg për akuzën e terrorizmit.

Ai ishte pjesë e anëtarëve të muxhahedinëve dhe banor i kampit të vendosur në Manzë të Durrësit, ndërsa u shpall fajtor për një sërë veprash penale, si organizatë terroriste, sulme ndaj sistemit kompjuterik, ndërhyrje në të dhënat kompjuterike të paautorizuara ndaj sistemeve shqiptare e të tjera.

Poladrag vepronte si i infiltruar mes muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri dhe ndërkohë dyshohet se po planifikonte sulm terrorist. Referuar dosjes hetimore, ai është larguar nga kampi dhe ka marrë me qira një shtëpi.

Hetuesit kanë dyshime se ai, duke përdorur celularin e një vajze, u ka dërguar qeveritarëve iranianë të dhëna për muxhahedinët që janë në vendin tonë, fotografi dhe informacione të tjera.

Në gusht të vitit të kaluar, me kërkesë të SPAK janë ushtruar kontrolle të ndryshme në banesa dhe shoqata të disa shtetasve nga Irani, me dyshimet se ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm të spiunazhit, kundër opozitës iraniane në mërgim që strehohet në Manëz

Të dyshuarit iu zbuluan biseda dhe mesazhe në drejtim të personave që jetojnë në Iran dhe që dyshohet se janë pjesë e Gardës Revolucionare në këtë shtet. Fillimisht, i dyshuari u hetua nga Antiterrori dhe Prokuroria e Tiranës dhe mori masën e arrestit me burg.

Por më pas, SPAK ngriti dhe akuzën e organizatës terroriste, duke i çuar në pesë akuzat ndaj Poladrag, ndërsa të ndaluar ishin 11 persona në total, mes të cilëve edhe shqiptarë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video