Kryetarja e Komisionit Hetimor Parlamentar, Jorida Tabaku aludoi se administratorja e inceneratorit të Tiranës, Ariola Kodra iu shmang dëshmisë që sipas saj, duhej të jepte para këtij Komisioni këtë të premte.
Por, deputetja Tabaku nuk përmendi faktin që vetë Administratorja e “Integrated Energy BV SPV” i është përgjigjur Komisionit me një shkresë, ku i dërgon të gjithë informacionin e kërkuar nga deputetët e komisionit gjatë dëshmisë së parë që dha.
Administratorja ka dorëzuar pasqyrat financiare nga 2017-ta, deri në vitin 2020, ashtu siç ishte kërkesa e deputetëve të komisionit hetimor, situacionin progresiv të tre muajve të fundit të vitit të kaluar, sipas kërkesës së Jorida Tabakut, grafikun e rishikuar të punimeve për ngritjen e impiantit, listën e sponsorizimeve që ka kryer shoqëria nga 2018-ta deri në 2022 dhe listën e nënkontraktorëve.
Por, pavarësisht se të gjithë dokumentacionin që kërkoi Kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku e kishte mbi tryezë, ajo këmbënguli për praninë fizike të administratores Ariola Kodra. Megjithatë, vetë rithirrja e Kodrës për të dëshmuar duket se nuk ka respektuar procedurat ligjore.
Kodra thotë se nuk ka marrë asnjë fletëthirrje për ridëshmi në Komision dhe se po të kishte pasur një të tillë ishte e gatshme për t’u paraqitur e dëshmuar.
“Nuk kam pas fletëthirrje dhe nuk e dija se duhet të riparaqitesha në Komision, pasi në dijeninë time m’u kërkuan nga Komisioni disa dokumente të cilat i kam dërguar me shërbim postar. Ashtu siç kam shkuar, edhe sot po të kisha fletëthirrje, apo njoftim për orën e paraqitjes do të isha paraqitur në Komision”, deklaron ajo.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.