
Shkencëtarët kanë zbuluar të dhëna të reja që mund të ndryshojnë datën e krijimit të një prej pikturave më të famshme në botë, “Nata me yje” e Vincent van Gogh.
Sipas një studimi të ri nga një ekip studiuesish koreano-jugorë, piktura mund të jetë frymëzuar nga qielli që artisti vëzhgoi në agim, më 22 korrik 1889, nga azili ku qëndronte në Saint-Rémy-de-Provence, në Francë.
Deri më tani, historianët e artit e kanë datuar pikturën në qershor të vitit 1889, pak kohë pasi Van Gogh ishte shtruar në azil. Megjithatë, studiuesit pretendojnë se qielli i korrikut përputhet më mirë me elementet që shfaqen në pikturë, përfshirë Hënën në formë drapri, planetin Venus dhe yjet që rrotullohen në qiell.
Ekipi, i drejtuar nga Elijah Jeong-hyun Kim, kreu analiza astronomike për të krahasuar pozicionin e trupave qiellorë në atë periudhë me pamjen e pikturuar nga Van Gogh. Sipas tyre, rreth 22 korrikut 1889, Hëna kishte një formë të ngjashme me atë të paraqitur në pikturë, ndërsa grupi i yjeve Hyades, në yjësinë e Demit, po ngrihej në lindje pranë Venusit. Analizat e motit sugjerojnë gjithashtu se qielli mund të ketë qenë mjaftueshëm i kthjellët për t’u vëzhguar nga artisti.

Studiuesit shqyrtuan edhe letrat që Van Gogh i kishte dërguar vëllait të tij, si dhe referencat për insektet e gjinkallave, të cilat janë më të zakonshme gjatë muajve të nxehtë. Këto të dhëna, sipas ekipit, mbështesin mundësinë që piktura të jetë frymëzuar nga qielli i korrikut dhe jo ai i qershorit.
Megjithatë, jo të gjithë studiuesit e konsiderojnë çështjen të zgjidhur.
Fizikanti José Luis Aragon, i cili ka studiuar pikturën, e vlerësoi kërkimin si një studim serioz dhe ndërdisiplinor, por theksoi se data e korrikut mbetet një hipotezë që kërkon prova të mëtejshme. Ai shtoi se Van Gogh e realizoi pikturën në studio, duke u mbështetur te skicat dhe kujtesa, ndaj qielli i paraqitur mund të jetë një ndërthurje e disa vëzhgimeve nga net të ndryshme.
Sipas Aragonit, gjetja më e rëndësishme është se “Nata me yje” mund të mos jetë thjesht produkt i imagjinatës së artistit, por të pasqyrojë vëzhgimet e tij të kujdesshme të qiellit real. Studimi i ri është publikuar në revistën shkencore Scientific Reports.