
Partia Demokratike po zhvillon sot zgjedhjet e cilësuara si referendum për kryetarin Sali Berisha.
Në një komunikim të shkurtër për mediat, Albana Vokshi theksoi se deri në orën 15:00, në 77 degët e Partisë Demokratike, rezulton se kanë votuar 28379 zgjedhës.
Vokshi theksoi gjithashtu se shifra rritet moment pas momenti, pasi anëtarët demokratë vijojnë t’u drejtohen kutive të votimit.
Gjatë fjalës së saj Vokshi nënvizoi se i gjithë procesi është transparent dhe se do të jetë deri në fund.
“Mendoj që kjo dalje është vetëm për pjesëmarrjen, për procesin e votimit. Me të mbaruar procesi i votimit neve do t’ju japim të gjitha sqarimet për numrin e votuesve të Partisë Demokratike që kanë të drejtë vote dhe janë ftuar sot.
Kjo do të thotë që janë punuar listat, janë pastruar listat. Një pjesë janë larguar në diasporë, por do t’ju japim të gjitha detajet e nevojshme.
Pra, jemi transparentë deri në fund, ju kemi dhënë një numër siç është sot. Nesër mund të rritet ai numër sepse ka anëtarësime të reja, mund të zvogëlohet sepse ikin nga diaspora.
Pra, është ‘Working progress’, por sot është ky numri i cili është ftuar për të votuar për referendumin, për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike”, tha ajo.
Ky proces ka nisur në orën 08:00 dhe pritet që të përfundojë në orën 18:00.