
Erion Veliaj ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se është kërcënuar në emër të tij për të dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në fjalimin e drejtuar Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Veliaj zbulon detaje nga një takim me ministrin e Drejtësisë, gjatë të cilit, sipas tij, i janë përcjellë paralajmërime për rëndimin e pozitës penale dhe përkeqësimin e kushteve të paraburgimit.
Veliaj e lidh këtë episod me përpjekjet që ai pretendon se janë ndërmarrë për largimin e tij nga drejtimi i kryeqytetit, duke e konsideruar paraburgimin dhe zhvillimet politike rreth mandatit të tij pjesë të një procesi për neutralizimin politik.
“Më pas erdhi takimi me Ministrin e Drejtësisë, gjatë të cilit, siç kam deklaruar, m’u përcollën në emër të Edi Ramës kërcënime për rëndimin e pozitës sime penale dhe përkeqësimin e kushteve të paraburgimit, nëse nuk jepja dorëheqjen nga funksioni për të cilin më kanë zgjedhur qytetarët”, shkruan Veliaj.
Por pretendimet e kryebashkiakut shkojnë edhe më tej. Ai deklaron se pas këtyre kërcënimeve është penguar të marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor për këmbën e thyer, përfshirë ekzaminimin që do të përcaktonte nëse nevojitet një ndërhyrje kirurgjikale.
“Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është se, pas këtyre kërcënimeve, ato po provohen me veprime konkrete ku pengohem në marrjen e kujdesit mjekësor: nuk më mundësohet ekzaminimi i nevojshëm për të vlerësuar gjendjen e këmbës sime të thyer dhe për pasojë, as ndërhyrja kirurgjikale që mund të rezultojë e domosdoshme”, shprehet ai.
Veliaj paralajmëron se nëse kushtet e paraburgimit dhe kujdesi shëndetësor përdoren për të imponuar dorëheqjen e një të zgjedhuri, atëherë situata merr përmasa të rënda politike.
“Nëse kushtet e paraburgimit dhe e drejta për kujdes shëndetësor përdoren për të imponuar një dorëheqje politike, atëherë kemi të bëjmë me një inkuizicion politik”, thekson ai.
Veliaj deklaron gjithashtu se pretendimet ia ka paraqitur Grupit Parlamentar socialist për shqyrtim dhe verifikim, duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Akuzat e tij mbeten pretendime që kërkojnë verifikim të pavarur. Megjithatë, përfshirja e drejtpërdrejtë e emrit të Edi Ramës dhe pretendimet për presione gjatë paraburgimit përbëjnë një nga pjesët më të forta të fjalimit të Veliajt.