
Mirëserdhe 14 Mars
Është ditë e enjte. Jam pushim. Çohem me një gjysëm përtesë. Pi një kafe. Bëhem gati dhe dal nga shtëpia.
Qenka vapë dhe dielli të çpoka sytë. I anashkaloj syzet e diellit, paçka se sot qenkan jetike. Shmang edhe kufjet, për të qenë sy e vesh përballë realitetit. Dita qenka velëse por i jap një shans të dytë.
Pas 10 minutash jam fiks në hyrje të “Pazarit të Ri”. Shtyllat e dritave lajmërojnë pranverën me figurina mimozash, lulesh a balonash ndajshtuar trungut të tyre. Kaloj "portën" e stimuluar nga një hark ylberor ngjyrash dhe hyj në qendër të pazarit.
Energjia ndihet në ajër, në të qeshurat dhe turra vrapet e të vegjëlve. Në vesh më depërton një muzikë. E ndjek. Rrugën ma pret një vajzë e vogël, diku te 10 vjeç.
"Më pëlqen dita e verës. E preferuara ime është ballokumja por edhe veroren e vendos", më thotë vajza, e cila quhej Sindi dhe kishte ardhur në pazar me të ëmën. Në bisedë e sipër zbuloj se ajo nuk e dinte a mbase si kujtohej, se kur hiqet verorja.

I them ato që më pat mësuar dikur gjyshja. Kur verorja vendoset në 1 mars ajo hiqet në 14 mars. Ndërsa kur vendoset sot, hiqet pasi sheh dallëndyshen e parë.
Gjyshja më thoshte se, më pas duhet ta lidhja veroren në një degë peme që ta merrte dallëndyshja për të ndërtuar folenë e saj. Ndahem me vajzën dhe drejtohem për te mini skena e koncertit me muzikë e animatorë për fëmijë.
Ngjyrat janë kudo. E verdha e ballokumeve dhe e kuqe-bardha e veroreve dominojnë pazarin. Sytë më ngelim tek familjet. Qarkuar rreth koncertit të vogël për fëmijë, prindërit gëzojnë teksa fotografojnë apo xhirojnë pasardhësit e tyre.
Qeliza bazë e shoqërisë duket se sot ushtron një nga manifestet e saj më të larta. I gëzohem shkëlqimit të saj qoftë ai i rremë, qoftë ai vetëm për sot.

E mbushur me mendime, lë pas “Pazarin e Ri” dhe drejtohem drejt zonës së “9 katësheve”. Njerëzit që më vijnë përballë më vështrojnë me një tis habie. Me siguri i çuditen faktit që jam vetëm.
Nuk sheh shumë vetmitar rrugëve sot. Ky 14 mars mban një aromë dehëse bashkimi, mbase edhe më shumë seç kundërmojnë lulet apo gjalpi i ballokumeve.
Ora shënon 1 e drekës dhe tashmë dielli na ka vënë të gjithëve nën diktatoriatin e tij. Me akullore në duar kryeqytetasit kanë zgjedhur ta sfidojnë baba-diellin. Përnjëmend ka ardhur vera. Dimri është thyer. Stina e ngrohtë ka hyrë në fuqi, bindshëm.

Bëhem gati të kaloj semaforin dhe të nisem për te “Sheshi Skënderbej”, por ndaloj. Shoh një djalosh, miturak, të imët, që shet verore mu para kryqëzimit të rrugëve. Krejt i vetëm. Afër ti nuk duket asnjë person madhor, prind apo i afërm. I afrohem stendës së tij modeste dhe e pyes sa se kushton një verore.
"100 lekë, por varet nga modeli. Cilin do ti?", më thotë djali i vogël si të ishte një tregtar i sprovuar, gati për të bërë pazar. Unë s'dua të bëj pazar me të. Dua ta njoh. Ndiej edhe "ta ndihmoj". Zgjedh modelin, i kërkoj 3 verore dhe nis të bisedoj me të.
"Quhem Enis dhe jam 11 vjeç", më thotë djali, por më duket se më gënjen për moshën. Imazhi i tij flet ndryshe.
Ndiej keqardhje për faktin që ai po e kalon këtë ditë duke punuar, ndryshe nga moshatarët e tij. E përshëndes dhe largohem zemërthyer duke i uruar punë të mbarë. Vazhdoj rrugën që kisha nisur për te sheshi.

Në “Sheshin Skënderbej”, vapa ka arritur kulmin dhe më duhet të heq xhaketën dhe ta mbaj në dorë. Pllakat e sheshit reflektojnë si pasqyrë të nxehtin dhe verdhërinë e diellit të mesditës.
Me dritën e verdhë para syve fushpamja më kufizohet dhe sfumohet. Turma njerëzish të tulatur nga zhegu shkojnë e vijnë nga të katër anët.
Rrëmuja më e madhe po bëhet tek ekspozita e makinave retro. Adhuruesit e makinave dhe veçanërisht blogerët e instagramit u janë qepur rreth e përqark makinave.
Fotoja "perfekte" që do t'i lërë ndjekësit pamend kur të postohet, do të shkrepet me çdo kusht. Vitit 2024 s’vjen pa teka.

Në mes të kakofonisë së sheshit më kap syri një vajzë të re, rreth të njëzetave që ecën duke e injoruar atmosferën rreth saj.Më kuriozon qëndrimi i saj, çfarë e bën kaq indiferente ndaj 14 marsit.
"Një pjesë e njerëzve me ç'më kanë thënë kanë dalë sepse e kanë pushim, as nuk e festojnë, as nuk e lidhin me ndonjë traditë, as e lidhin me besimin, as nuk e lidhin me asgjë.Unë sot kam dalë se kisha një punë për shembull", më shpjegon 21 vjeçarja Denada.
Më shpëton një e qeshur dhe ajo i bashkohet gazit tim. I përkasim të njëjtit brez, një brezi që kryesisht feston ditën e pushimit dhe jo ditën e verës. Prindërit tanë kanë lindur në komunizëm dhe atëherë dita e verës nuk festohej përveçse në elbasan dhe në ndonjë fshat a zonë specifike.
Këtë ma ka thënë dikur gjyshi, por sot ma konfirmuan edhe disa të moshuar që ndesha rrugës.

Dita e verës është një festë pagane që daton para lindjes së krishtit. Festohej në 1 mars sipas kalendarit të dikurshëm Julian dhe në 14 sipas atij Gregorian që perdoret gjerësisht sot.
Është festuar në gjithë Shqipërinë nga veriu në jug, nga parardhësit tanë ilirë.Kryeqendra historike e festës ka qenë në Çermenikë të Elbasanit.
Festa nënkupton ardhjen e stinës së ngrohtë.Shënon ardhjen e pranverës, por quhet dita e verës sepse dikur kishte vetëm dy stinë, verë dhe dimër. Kjo festë i paraprin ekuinoksit të pranverës që i takon datës 21 mars. Në këtë datë dita barazohet me natën dhe pas saj dita zgjatet kurse nata shkurtohet.
Me mendimin se dita e verës është një nga ato pak festa që na bashkojnë pa dallime ne shqiptarëve, e përmbyll bashkëbisedimin me moshataren.Marr rrugën për nga Bulevardi "Dëshmorët e Kombit".

Arrij tek instalacioni "Reja" dhe tentoj të shoh nga bulevardi që shtrihet para syve të mi deri tek Sheshi "Nënë Tereza".
Nuk mund të shoh asgjë, vetëm njerëz, pafund njerëz, diell dhe zhurmë, shumë zhurmë. Sot këmbësorët i kanë pushtuar "territoret" e makinave.
"Reja" është zbukuruar me lule blu e të bardha dhe një flutur të madhe disa ngjyrëshe.Ka këng, kërcime, dhe një varg stendash shitjeje para instalacionit.Tejkaloj "Renë" dhe eci bulevardit.

Në të dyja anët e tij ka stenda shitjeje të gjithëfarë llojshme. Shiten që nga veroret dhe ballokumet deri te punimet artizanale, punimet e drurit, punimet e poçarisë, suvenieret, bizhuterit, karamelet, parfumet, librat, lulet, produktet ushqimore, pikturat, kokoshkat, lodrat, tullumbacet, pambuk sheqerit, etj. Tek stendat pikas një mesoburrë që ndalon për t'i blerë një libër me piktura të birit.
"Organizimi më duket shumë i mire se kanë përfshirë shumë gjëra, koncert, panair, etj. Të gjithë kanë mundësi të dalin dhe të shijojnë diçka", më thotë Arbeni duke parë nga i biri, i cili duket shend e verë nga dhurata e sapo marrë.
Zhurma që dëgjoja në nisje të bulevardit, intensifikohet dhe merr formë.Tani arrij ta shquaj tekstin e këngës së njohur."Mos harro të vish ditën e verës kur dielli ndriçon në dritare,...", vargjet e këngës së interpretuar nga Ermal Mamaqi më zibrojnë bashkë me mendimet.
Ndërsa eci e pashqetësuar për nga podiumi i madh i koncertit vendosur mbi një trajler që lëviz përgjatë bulevardit, një dorë me prek shpinën.Kthej kokën dhe shoh një vajzë me tipare aziatike që më ka ngulur sytë.
"Përshëndetje. Pse ka kaq shumë njerëz?", më pyet e hutuar turistja kineze, e quajtur Fen. Pasi i tregoj pak mbi ditën e verës, ajo vazhdon t'më pyes."Pra të gjithë njerëzit dalin për këto festime?Ka shumë njerëz dhe shumë dyqane, Uauu.Ka shumë energji", vijon Fen-i.
Bëjmë një copë rrugë bashkë dhe ndaj me të disa detaje më shumë për Tiranën dhe Ditën e Verës.Më falenderon.Më fton të vizitoj edhe unë Kinën.I uroj një kohë të këndshme në Tiranë dhe përshëndetemi.

Gjarpëroj mes turmës së grumbulluar rreth trajlerit të koncertit, dhe arrij në gjysmën e dytë të bulevardit.Këtu janë vendosur disa mini fusha futbolli, basketbolli, tenisi, biçikletash, ping-pongu, karateje, etj.
Prindërit janë kthyer në tifozë të flaktë të "kampionëve" të tyre, të vegjël, të sportit.Anës fushës së futbollit një gjyshe po bën "tifozllëk" për nipin e saj.
"Mendoj që dita e verës është një festë e këndshme dhe interesante për të gjithë brezat.Nëse ushqehet nga ne edhe tek brezat e rinj, mendoj që do vazhdoj të festohet", më rrëfen tërëoptimizëm Blerina, gjyshja e Mateos së vogël. Biseda na ndërpritet nga një top që më fluturon kokës, të cilit i shpëtova për një fije.
Topi s'mundi t'më godiste, por një mendimia doli. Më mbetën në mendje disa fjalë që më thanë njerëz të ndyshëm të breza të ndryshëm sot.
Disa më thanë se nuk e festojnë 14 marsin për shkak të fesë apo origjinës që kanë.S'na u ndanë ndasitë ne shqiptarëve mendova.
Është për të ardhur keq.Ditën e verës e kanë njohur, madje edhe kanë shkruar për të nga veriu e deri në jug. At Berdardin Palajn dhe Faik Konicën nuk i penguan as feja e as origjina, që sot na fuskan shkopinj nën rrotë.
Mbi 100 vite më parë Konica e portretizonte kështu ditën e verës: "Është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kishte lindur ende krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, e të shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu lindi festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës."
Nga ora 4 e mbasdites, zhurma është asimiluar nga qetësia, njerëzit po largohen të lodhur nga dita aktive drejt shtëpive.
Stendat dhe formacionet e mbetura nga festimet po hiqen njëra pas tjetrës.Tani rrugët sundohen nga punonjësit e pastrimit dhe qeset e zeza tëmbeturinave.
Pavarësisht ndasive, banorët e kryeqytetit festuan së bashku qoftë edhe thjesht fizikisht ditën e verës. Dëshmitë janë kudo dhe akoma të freskëta.
Pak orë më parë ky shesh ishte plot, me njerëz që i gëzoheshin diellit të ngrohtë të ditës.
...mirupafshim 14 mars…