Nga vjen frika jonë ndaj peshkaqenëve?

2 December 2022, 19:10Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nga vjen frika jonë ndaj peshkaqenëve?
Kait Hanson duke notuar mee peshkaqenët në 2018

Peshkaqenët, veçanërisht peshkaqenët e bardhë, ngjallën më shumë frikë te njerëzit pas publikimit të filmit Jaws në verën e 1975-s. Filmi e ndërtoi fabulën mbi një peshkaqen gjigant që terrorizon një komunitet bregdetar dhe qe mjaftueshëm i frikshëm sa për të tmerruar gjithë njerëzit. Në shumë filma të tjerë, peshkaqenët janë portretizuar si antagonistë.

Nga vjen frika jonë ndaj peshkaqenëve?

David Ropeik, konsulent për perceptimin e frikës dhe autor i “Sa i rrezikshëm është në të vërtetë?” thotë se njerëzit nuk kanë pse të jenë të frikësuar nga peshkaqeni. Por frika nuk përputhet gjithnjë me faktet.

Frika nga peshkaqeni njihet si galeofobia dhe e thënë shkurt, peshqit grabitqarë janë të frikshëm: kanë dhëmbë të mprehtë, ndjejnë gjakun e copëtojnë brenda pak sekondash.

Ekzistojnë më shumë se 465 lloje peshkaqenësh, që fillojnë nga 17 centimetra e deri te 50 metra të gjatë. Shumë prej tyre hanë peshq, molusqe, plankton, gjitarë deti dhe peshkaqenë të tjerë – me pak fjalë, ne nuk jemi në menu.

Njerëzit kanë më shumë të ngjarë të goditen për vdekje nga një lopë sesa të ndërrojnë jetë në nofullat e një peshkaqeni. Por frika nuk përputhet domosdoshmërisht me faktet dhe frika nga peshkaqeni lidhet më shumë me një gjendje emocionale sesa me realitetin.

Frika ka të bëjë me të mos paturit e situatës nën kontroll. Njerëzit i tmerron ideja e përballjes me diçka që është më e fortë se ta. Sipas ekspertëve, frika lidhet më tepër me natyrën e përvojës (det, merr frymë me vështirësi, nuk noton dot shpejt, nuk kundërpërgjigjesh me lehtësi, e ke të vështirë të mbrosh veten) sesa me agjentin (peshkaqenin).

Nga lindi kjo frikë?

Frika nuk është domosdoshmërisht diçka me të cilën njeriu lind, por është diçka që është zhvilluar me kalimin e kohës. Foshnjat nuk kanë frikë nga gjarpërinjtë dhe lartësitë, por të rriturit po. Me kalimin e moshës, truri bëhet më i ndjeshëm ndaj stimujve të frikës.

Në lashtësi, njerëzit nuk e dinin se cilat kafshë ishin kërcënim për ta dhe ky është një fakt i rëndësishëm që i mbajti gjallë. Ata u mësuan me frikën, u përshtatën dhe mbrojtën veten. Ekspertët theksojnë se njerëzit janë më të prirur të kenë frikë nga gjërat biologjike, si kafshët për shembull, dhe kjo është një frikë e trashëguar qysh nga epokat e hershme.



Video