Zgjedhjet në Malin e Zi, dalin rezultatet paraprake

11 June 2023, 21:47Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zgjedhjet në Malin e Zi, dalin rezultatet paraprake
Zgjedhjet në Malin e Zi

Qytetarët në Malin e Zi votuan sot për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Sipas rezultateve paraprake në shtetin fqinj, “Lëvizja Europa Tani” deri në këto momente kryeson me 25.6% të votave.

Kjo parti ndiqet nga koalicioni “Së bashku” që ka marrë 23.8% të dhënave paraprake.

15% të votave i ka koalicioni “NSD-DNP”, 12.3% i ka koalicioni i partive “Ura-Demokratët”.

4.1% të votave i kanë në total 3 parti shqiptare, të cilat garojnë veçmas dhe jo në koalicion.

Partia Boshnjake ka marrë 6.8% të votave gjithnjë sipas të dhënave paraprake, dhe 3.4% të votave Partia Popullore Socialiste.

Pse ishin të rëndësishme këto zgjedhje?

Këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare mund t’i japin fund një krize politike gati tri vjeçare në Mal të Zi ku dy qeveri u rrëzuan përmes mocioneve të mosbesimit.

Rezultati i zgjedhjeve mund të prodhojë një qeveri funksionale të cilën Mali i Zi nuk e ka thuajse që nga prilli i vitit 2020, kur Partia Demokratike e Socialistëve, asokohe e udhëhequr nga Millo Gjukanoviç, humbi në zgjedhje.

Media të ndryshme ndërkombëtare dhe analistët politikë ditëve të fundit thanë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare edhe për të ardhmen e Malit të Zi pasi votuesit do të kenë mundësinë të vendosin për të përkrahur partitë dhe koalicionet, disa përkrahëse të Perëndimit, të tjerat përkrahëse të Serbisë si dhe të tilla mbështetëse të Rusisë.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të tregojë nëse Mali i Zi, si një vend i vogël i Ballkanit Perëndimor, anëtarë i NATO-s, do të ofrohet më shumë me Bashkimin Evropian dhe të avancojë në proceset integruese.

Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në 30 vitet e fundit në të cilat nuk merr pjesë ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në muajin prill të këtij viti.

Paraprakisht, më 16 mars, tre ditë para se të zhvillohej raundi i parë të zgjedhjeve presidenciale, Gjukanoviç shpërndau Parlamentin dhe caktoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke përmendur trazirat e vazhdueshme brenda qeverisë dhe mungesën e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet e 11 qershorit, janë zgjedhjet e 12-ta parlamentare që nga futja e sistemit shumëpartiak dhe të gjashtat që nga pavarësimi i Malit të Zi në vitin 2006.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe kandidat për anëtarësim në BE që nga fundi i vitit 2012.

Mali i Zi hapi të 33 kapitujt e negociatave, i fundit në qershor 2020 dhe mbylli tre.


Video