Në një intervistë për një televizion serb, presidenti Aleksandër Vuciç paralajmëroi një ofensive të re nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
‘Albin Kurti është një njeri pa fjalë dhe nder, veprimet e të cilit nuk mund të analizohen në mënyrë racionale. Ai dëshiron vetëm të jetë Enver Hoxha i ri apo Volodymyr Zelensky, pres që në vijim të intensifikojë terrorin ndaj serbëve.’- tha Vuçiç.
Për Vuçiç, Perëndimit nuk i intereson kur kërcënohen të drejtat e serbëve në Kosovë. Ai pyeti Berlinin, Brukselin dhe Uashingtonin se pse Dushan Obrenoviç është ende në paraburgim, kur sipas tij video përgjimet e dokumentojnë pafajësinë e tij.
‘EULEX-i monitoron 109 raste të serbëve të arrestuar, 11 në periudhën e fundit kanë qenë në paraburgim. Ka njerëz që kanë qenë në paraburgim për dy vjet, pa asnjë bazë dhe pastaj thonë se është sundim i ligjit’- u shpreh Vuçiç.
Në intervistë Vuçiç tha se deklarata e Policisë së Kosovës se detyroi djalin e tij Danilo të hiqte bluzën ku shkruhej “Dorëzimi nuk është opsion”, është gënjeshtër.
“As fanellën e as flamurin serb, sa të jetë gjallë, nuk ia dorëzon askujt”, tha presidenti serb.
Ai theksoi se nuk është e vërtetë që Danilo ka shkuar në festën e Vidovdanit për të provokuar, pasi që ka 13 vjet që shkon atje dhe asnjëherë nuk ka ofenduar askënd dhe nuk ka bërë ndonjë gjë të shëmtuar.