SHBA dhe BE “i shkulin veshin” Vuçiçit pas vizitës së zyrtarit rus: Distancohu nga Moska!

3 July 2024, 14:20Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

SHBA dhe BE “i shkulin veshin” Vuçiçit pas

Pas vizitës së zëvendësministrit të jashtëm rus në Serbi, Aleksandër Grushko, BE dhe SHBA përsërisin thirrjet ndaj Beogradit që të distancohet nga Moska. Brukseli i kërkoi sërish Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, duke ju bashkuar kështu linjës së Bashkimit Europian.

“Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale me luftën e paprovokuar dhe të pajustifikuar agresore të Rusisë kundër Ukrainës”, deklaroi zëdhënësi i BE-së.

Sakaq, Departamenti Amerikan i Shtetit tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë se Beogradi nuk duhet t’i ofrojë platformë Rusisë për të promovuar agresionin në Ukrainë.

"Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe e gjithë Evropa, kanë interes të madh në rezultatin e luftës ruse kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është tejet e rëndësishme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar përballë agresionit të Rusisë”, tha DASH.

Deklaratat erdhën pas vizitës së zëvendësit të lavrov, Grushko, i cili u takua me presidentin Aleksandër Vuçiç, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Serbisë si Daçiç dhe Vulin.

Vuçiç e falënderoi Grushkon për mbështetjen në lidhje me rezolutën e Srebrenicës dhe ndaj integritetit territorial të Serbisë. Mediat ruse, bënë më dije se vëmendje e veçantë në bisedime, ju kushtua çështjes së Kosovës.

Siç thuhet ishte theksuar nevoja për t'u mbështetur në të drejtën ndërkombëtare e rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, e gjithashtu rëndësia e zbatimit të detyrimeve që dalin nga dialogu, si formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.


Video