Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ndërmarrë hapa për t'i dhënë fund mundësisë së Harvardit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë, duke përshkallëzuar përplasjen me universitetin më të vjetër të Amerikës.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem shkroi në rrjetin social "X" se administrata ka revokuar certifikimin e "Programit të Studentëve dhe Vizitorëve të Shkëmbimit" të Harvardit si rezultat i dështimit të tyre për t'iu përmbajtur ligjit.
"Le të shërbejë kjo si një paralajmërim për të gjitha universitetet dhe institucionet akademike në të gjithë vendin," shkroi ajo.
Harvard e quajti këtë veprim "të paligjshëm" në një deklaratë.
Të dhënat e universitetit tregojnë se gati 7,000 studentë ndërkombëtarë u regjistruan në institucion vitin e kaluar akademik, duke përbërë 27.2% të trupit të tij studentor.
Më herët, administrata Trump e ka akuzuar Harvardin për dështimin në mbrojtjen e duhur të studentëve hebrenj nga diskriminimi dhe ngacmimi antisemitik, veçanërisht në kontekstin e protestave pro-palestineze në kampus pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe luftës pasuese në Gaza.
Administrata pretendon se Harvardi shkeli Titullin VI të Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964 duke mos i adresuar këto çështje në mënyrë efektive dhe ka kërcënuar me bllokimin e fondeve.