Dea e Butrintit është rikthyer në qytetin antik ku u zbulua, pas një rrugëtimi që e çoi fillimisht drejt Romës dhe më pas në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili tha se rikthimi i statujës është një moment i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Sipas ministrit, vizitorët në Butrint do të kenë mundësinë ta shohin nga afër Dean, një prej veprave më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike të vendit.
“Rikthimi i Deas pasuron rrëfimin e Butrintit”, u shpreh Gonxhja, duke theksuar rëndësinë e saj për historinë, artin dhe trashëgiminë europiane.
Butrinti ka regjistruar mbi 200 mijë vizitorë gjatë këtij viti dhe po konsolidon pozicionin si një nga destinacionet kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri.
Ministri falënderoi ekipet që punuan për rikthimin e Deas në Butrint, si dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për mbështetjen në këtë projekt. Rikthimi i statujës pritet të jetë një tjetër pikë me interes për turistët dhe vizitorët që zgjedhin Butrintin për të njohur historinë dhe pasurinë arkeologjike të Shqipërisë.