2026-10-22 12:11:50Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa shifra, që tregojnë sipas tij realitetin në Shqipëri dhe jo të vërtetën e fabrikuar të protestës.

Të dhënat e tij, tregojnë sa policë e studentë janë të plagosur në vendin tonë e sa në Europë, duke akuzuar mediat për informacione të pavërteta.

"Ja PASQYRA E TURPIT të ekraneve televizive, ku “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm. Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s po djeg e shkatërron në qytetet e Europës: Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë. Ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur", shkruan ai.

Kryeministri Edi Rama pretendon se në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik.

Sipas tij, realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj "flame dhune e terrori psikologjik antishtet."

"Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit", thotë kryeministri.

Edi Rama paraljamëron se shumë shpejt do të publikohen identitetet e personave që sipas tij, qëndrojnë pas maskave e kapuçëve dhe ushtrojnë dhunë. Kryeministri shprehet se ata nuk kanë asnjë lidhje me studentët.

"I vura studentët në thonjëza në krye të fjalëve, sepse shumë shpejt do t’i shikoni me fytyrë e me fakte, plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore", vijon ai.


Video