
Për një dekadë të plotë, emri i Zhaneta Beqirit ishte i pandashëm nga një prej sektorëve më delikatë dhe të ekspozuar të Bashkisë së Tiranës: rrjeti i çerdheve dhe kopshteve publike.
E emëruar në krye të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve (sot Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve) që prej vitit 2016, ajo i mbijetoi çdo furtune, riorganizimi apo vale shkarkimesh në administratën vendore, duke u konsoliduar si një prej drejtoreshave më jetëgjata të epokës së Erion Veliajt.
Për dhjetë vjet, Veliaj ia besoi asaj këtë sektor kritik me sy mbyllur. Por sonte, kjo marrëdhënie dhjetëvjeçare mori fund me një firmë që erdhi nga qelia: Erion Veliaj, nga burgu i Fierit, urdhëroi shkarkimin e saj nga detyra, mes një liste drejtuesish të tjerë të bashkisë.
Por, çfarë "gaboi" Zhaneta Beqiri pas një dekade shërbimi?
Përgjigjja nuk gjendet te menaxhimi i kopshteve, por te matematika e ftohtë e pushtetit. Në një moment kur vija ndarëse brenda mazhorancës është bërë e prerë — o me Edi Ramën, o me Erion Veliajn — Zhaneta Beqiri zgjodhi të luajë me mendje. Ajo zgjodhi të ardhmen.
Realiteti politik në Tiranë është i lexueshëm për këdo që njeh rregullat e lojës: Erion Veliaj nuk do të jetë më në krye të Bashkisë së Tiranës përtej verës, ndërsa Edi Rama dhe drejtuesit e rinj politikë në horizont po ndërtojnë strukturat e së nesërmes.
E vetëdijshme për këtë ekuacion, Beqiri nuk priti fundin e pashmangshëm. Në fillim të kësaj jave, ajo u shfaq publikisht në një mbledhje partie krah shefave të rinj që zëvendësuan Veliajn në drejtimin politik, Ervin Demo dhe Albana Koçiu — një lëvizje e dokumentuar edhe nga pamjet e siguruara nga VNA.
Nga ana tjetër, në burgun e Fierit, ku llogaritë e pushtetit maten me të tjera njësi, Erion Veliaj kërkon besnikëri absolute — një besnikëri që, siç ka ironizuar edhe vetë kryeministri Rama, numërohet deri te "like"-t në rrjetet sociale.
Në sytë e tij, prania e Zhaneta Beqirit në takimet me drejtuesit e rinj ishte një akt i pastër dezertimi. Ajo kishte "kaluar gardhin".
Kështu, shkarkimi i sotëm nuk është thjesht një lëvizje administrative, por një ndëshkim politik.
Zhaneta Beqiri u largua nga posti jo se dështoi në detyrën që mbajti për dhjetë vjet, por sepse kuptoi e para se ora e shefit të saj të vjetër kishte ndalur — dhe vendosi të ecte me kohën e shefave të rinj./VNA