Moti i keq në Vlorë, anulohet trageti drejt Brindisit, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla

2026-11-26 09:35:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Moti i keq në Vlorë, anulohet trageti drejt Brindisit, ndalohet

Era e fortë bregdetare, me drejtim jug-juglindje, ka bërë që trageti i transportit detar, i cili kryen linjën Vlorë–Brindisi, të anulojë lundrimet përgjatë kësaj të enjteje.

Kapiteneria e Portit Detar Vlorë bën me dije se, për shkak të erës me shpejtësi deri në 20 metra në sekondë, është anuluar gjithashtu lundrimi për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit.

Dallgët në det arrijnë deri në 2.5 metra, duke e bërë të pamundur lundrimin e këtyre mjeteve. Për këtë arsye, Kapiteneria nuk lejon daljen e tyre në det, pasi nuk mund të përballojnë kushtet hidrometeorologjike.

Situata në det pritet të përmirësohet pas orës 22:00 të mbrëmjes së kësaj të enjteje.

Ndërkohë, në qytetin e Vlorës, era e fortë bregdetare deri më tani duket se ka penguar reshjet e shiut. Megjithatë, sipas parashikimeve, në orët në vijim priten reshje me intensitet mesatar deri të lartë.

 Kjo situatë rrit rrezikun për përmbytje në qytet, ndërsa në zonat malore të rrethit të Vlorës ekziston rreziku për vërshimin e përrenjve dhe lumenjve.

Aktualisht, situata në qytet paraqitet e qetë dhe nuk raportohen problematika, por gjatë pasdites dhe mbrëmjes pritet një përkeqësim i kushteve atmosferike, me reshje që mund të arrijnë intensitet të lartë.

Autoritetet bëjnë apel për kujdes të shtuar nga ana e qytetarëve, shmangien e lëvizjeve të panevojshme dhe kufizimin e qarkullimit, përveç rasteve kur është e domosdoshme për shkak të situatave emergjente.


Vox Pop

Video