
Disa prej bankave më të mëdha në SHBA, mes tyre JPMorgan Chase, Bank of America dhe Wells Fargo, kanë regjistruar ndërprerje të shërbimeve online, duke shkaktuar vështirësi për mijëra klientë.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, përdoruesit kanë hasur probleme në aksesimin e platformave të bankingut online dhe aplikacioneve celulare, si dhe në kryerjen e transfertave bankare.
Më e prekura rezulton JPMorgan Chase, me mbi 4,500 raportime për probleme, e ndjekur nga Bank of America, me më shumë se 2 mijë ankesa në platformën Downdetector.
Në një reagim zyrtar, JPMorgan Chase bëri të ditur se ndërprerjet janë shkaktuar nga një problem i përkohshëm, i lidhur me një defekt në softuerin e sistemeve lokale. Banka theksoi se nuk ka prova për një sulm kibernetik dhe se nuk bëhet fjalë për një problem sistemik.
"Kemi hasur një problem të përkohshëm që lidhet me një gabim softueri në sistemet lokale të harduerit. Nuk ka prova se ky është një sulm kibernetik. Nuk është një problem sistemik."
Edhe Sekretari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Markwayne Mullin, deklaroi se hetimet paraprake nuk kanë identifikuar prova për një sulm kibernetik nga aktorë të huaj. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se integrimi i inteligjencës artificiale në infrastrukturën teknologjike mund të jetë një prej faktorëve që po mbingarkon sistemet rezervë.