Zjarri në pallatin te Farmacia 10, Këshilli Bashkiak miraton bonusin e qirasë për familjet e prekura

22 April 2026, 18:29Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zjarri në pallatin te Farmacia 10, Këshilli Bashkiak miraton bonusin e
Zjarri në pallatin te Farmacia 10

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar këtë të mërkurë bonusin e qirasë për familjet të cilat u prekën nga zjarri që përfshiu pallatin e kompleksit “Arlis”.

Sipas projekt-vendimit, që u paraqit për miratim përpara Këshillit Bashkiak, do të jepet një dëmshpërblim prej 40 mijë lekësh në muaj për familjet e prekura.

Ky vendim do të mbetet në fuqi deri në momentin që familjet e prekura të hyjnë në banesat e tyre.

“Zjarri i përmasave të mëdha te Kompania Arlis, dhjetëra familje mbeten pa banesë, me dëme të shumta materiale, për fat të mirë, vetëm dëme materiale. Ka pasur të gjitha ndërhyrjet e mundshme të të gjithë aktorëve, nuk dua të them vetëm zjarrfikësit, që kanë pasur angazhimin e tyre. Në këto raste jeta është më e rëndësishmja dhe kjo është arritur me sukses. Patjetër që reagimi për t’i ardhur në ndihmë banorëve ka qenë i menjëhershëm në administratë. Patjetër që reagimi për t’i ardhur në ndihmë banorëve ka qenë i menjëhershëm këtu në administratë, duke konfirmuar që e kishim bazën ligjore për të dhënë një kontribut për strehim të këtyre banorëve, në këtë periudhë të ndërmjetme kur ata kanë mbetur të pastrehë, deri në momentin e rehabilitimit të banesave të tyre”, tha kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.

Efektet financiare do të përballohen nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë në programin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Mbrojtjes Civile. Për të përfituar bonusin e qirasë familjet duhet të vërtetojnë që nuk kanë një banesë tjetër në pronësi brenda Bashkisë së Tiranës.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 14 prill, ku si pasojë e zjarrit që përfshiu pallatin u shkrumbuan 30 apartamente. Një ditë më pas kryeministri Edi Rama me anë të një reagimi në rrjetet sociale tha se apartamentet do të rindërtohen 100% nga vetë kompania. Kompania “Arlis” nëpërmjet një reagimi zyrtar konfirmoi rindërtimin e apartamenteve të djegura.

Ndërkohë ekspertiza ende nuk ka dalë me një konkluzion të qartë se cilat janë autorët, që shkaktuan zjarrin te pallati, në zonën e “Farmacia 10”.


Video