Merr fund makthi në Korçë, RENEA hyn në banesë dhe arreston 71-vjeçarin që qëllonte fqinjët me armë (Pamjet e arrestimit)

16 July 2024, 13:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Merr fund makthi në Korçë, RENEA hyn në banesë dhe
Momenti i arrestimit të 71-vjeçarit nga RENEA

Ka marrë fund makthi për banorët e lagjes Nr.17 të qytetit të Korçës, ku një 71-vjeçar prej gati dy orësh terrorizoi qytetarët duke qëlluar me armë nga ballkoni i banesës së tij në katin e parë.

Edmond Naska dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ai nisi të qëllonte drejt makinave që parkoheshin pranë banesës së tij. Ndërsa prej disa orësh RENEA u mundua të negocionte me të.

Forcat Speciale kanë mundur, para pak çastesh, të shqyejnë hekurat e ballkonit dhe kanë hyrë në banesë duke bërë arrestimin e tij.

Fatmirësisht nga ngjarja nuk kanë mbetur persona të plagosur.

Momenti kur RENEA hyn në banesë:


Njoftimi i Policisë:

RENEA neutralizon dhe vë në pranga 71-vjeçarin që qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij.

Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e sotme, i cili bën fjalë për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 16, ku shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij, ju bëjmë me dije se:

Me mbërritjen e njësive speciale RENEA, është krijuar perimetri i afërt i sigurisë, si dhe është negociuar me 71-vjeçarin, për t’u dorëzuar. Pas negociatave, 71-vjeçari është dorëzuar dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.



Video