Mbajti gruan dhe 2 djemtë 6 vite të ngujuar dhe i dhunonte, Xherxh Laçi: Ndiqja parimet e mia fetare

7 November 2022, 10:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mbajti gruan dhe 2 djemtë 6 vite të ngujuar dhe i dhunonte, Xherxh
Në foto: Xherxh Laçi

Detaje të reja në lidhje me arrestimin e 52-vjeçarit Xherxh Laçi, i cilësuar nga policia si radikalist. Gjatë marrjes në pyetje, Laçi ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten e tij Elena, si dhe dy djemtë, Albanin dhe Sulltanin, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç.

52-vjeçari Laçi ka dëshmuar para oficerëve të policisë dhe të Antiterrorit se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për të mos u infektuar, raporton gazetarja Xhensila Kodra.

“Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin”, ka pohuar Laçi.
Por krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht.

Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergj Laçi pritet të dalë të martën në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Laçi u arrestua ditën e djeshme, 6 nëntor nga policia e Tiranës, pas denoncimeve nga të afërmit e bashkëshortes së tij.

Policia bëri me dije se 52-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit të banesës ditën e djeshme u gjetën dy mjete prerëse thika ndërsa gjatë kontrolleve të ambienteve përreth banesës, në oborr, u gjetën dhe sekuestruan 700 fishekë luftarak dhe krehra automatiku.


Video