Një nga disa veprat penale që SPAK i ka ngarkuar ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbjas është ajo e “tregtimit të sekretit shtetëror”.
Kjo vepër penale dyshohet se është kryer në kohën kur deputeti socialist ka qenë pjesë e Komisionit të Sigurisë.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtare, kështu që nuk ka shumë detaje se për çfarë informacioni sensitiv bëhet fjalë.
Cilin informacion ka tregtuar Çrybja kur ishte deputet?
SPAK ka zbuluar se në kohën kur ka qenë deputet, Jurgis Çyrbja ka patur një marrëdhënie miqësore me Altin Hajrin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale.
Për shkak të miqësisë që të dy kanë pasur, tashmë ish-deputeti socialist ka shfrytëzuar pozitën e tij si deputet ka ndërhyrë agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri për të favorizuar Hajrin, apo edhe kunatin e tij, i cili ka gjithashtu precedentë kriminalë.
Madje, Hajrin, e ka fshehur edhe në banesën e tij në kohën kur ishte shpallur në kërkim nga Policia.
Çfarë merrte në këmbim?
Për të gjitha nderet e bëra, Altin Hajri i siguronte vota në kohën kur garonte për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Edhe pse në Komisionin e Sigurisë nuk ka qenë deputet me kohë të plotë, por zëvendësues, sërish Çybja ka qenë i pajisur me një certifikatë sigurie, e cila lëshohet nga DSIK.
Çfarë është “Certifikata e sigurimit të personelit” (CSP)?
CSP, është dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ose i një autoriteti kompetent të sigurisë së një vendi tjetër i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.
Pa këtë dokument, asnjë person, edhe pse deputet, nuk lejohet që të marrë pjesë në mbedhjet e Komisionit, që hera-herës me dyer të mbyllura diskuton çështje shumë të rëndësishme për vendin.
Një sekret të tillë, Çyrbja e ka shitur! Për këtë vepër, sipas Kodit Penal të Shqipërisë, rrezikon dënimin me gjobë ose me burg deri në 10 vite.
Nga të tre akuzat e SPAK, kjo është më e rënda.