Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur pezullimin nga detyra të gjyqtares Arnisa Këlliçi, e cila rreth dy javë më parë denoncoi se ishte kërcënuar familjarisht përmes një letre me shkrim dore.
Megjithatë ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës tha se gjyqtarja Këlliçi e kishte shkruajtur vetë letrën kërcënuese, ndërsa e mori atë të pandehur për kallëzim të rremë.
Megjithatë, gazetari Artan Hoxha, duke komentuar këtë zhvillim, theksoi se hetimi nuk duhet të ishte bërë nga Prokuroria e Tiranës, pasi ka konflikt interesi. Hoxha gjithashtu tha në emisionin “Top Talk” se gjyqtarja Këlliçi nuk është kërcënuar vetëm me letër, por edhe përmes telefonit.
Siç është raportuar, gjyqtarja Këlliçi ka pasur me një kolegun e saj, dhe gjithçka ka nisur në formë shakaje.
“Tirana nuk duhet ta hetonte, se ka konflikt interesi. Çështja duhet të hetohej nga një prokurori jashtë juridiksionit të Tiranës. Në fakt kërcënimi është me telefon, letra është një pjesë e kërcënimit. Ndërkohë sot Tirana thotë që është kallëzim i rremë. Ku është bërë ekspertiza daktiloskopike që ka dalë që është shkrimi i gjyqtares?
Kjo është një çështje që në momentin e parë duhet ta merrte një prokurori jashtë Tiranës. Ka një problem tjetër në këtë histori, nëse përfaqësuesit e brezit të ri të drejtësisë futen në këtë lloj konflikti, po shkaktojnë një goditje të besimit publik ndaj drejtësisë”, tha gazetari Hoxha.