Pronari i televizionit lokal të Gjirokastrës ALPO RTV Aristotel Petro ka ngritur dyshime të forta ditën e djeshme se Myftaraj mund të jetë vrarë.
“Një lajm i kobshëm për fjalën e lirë po qarkullon këto momente kur po flitet se Gazetari (nga të paktët që mund të quhen të tillë) Kastriot Myftaraj ka bërë vetëvrasje duke u hedhur nga kati 4rt i një ndërtese.
Me aq sa e njihnim Kastriotin ai nuk ishte person që mund të bënte vetëvrasje dhe pa asnjë dyshim mund të themi se kuptohet se Kastriotin e kanë vrarë", shkruan Petro.
Pronari i televizionit në Gjirokastër bën thirrje për hetim serioz, ndryshe përgjegjësia më e madhe i bie qeverisë.
“Kastrioti shkruante të vërteta që pak i kuptonin dhe nuk kishte ngjyrime politike ! Në se nuk zhvillohen hetime serioze për këtë krim përgjegjësia më e madhe e këtij krimi i bie Qeverisë aktuale në pushtet dhe Kryeministrit Edi Rama! Një tjetër gjë edhe më e keqe akoma është kur shikojmë komente fyese për të ndjerin ku komentues pa asnjë lloj lidhje me të e fyejnë edhe pse pretendohet se ai nuk është më mes nesh.
Nuk ka fatkeqësi më të madhe kur një Penë e lirë shkruan të vërteta për ti hapur sytë këtij populli të shumë vuajtur e të mari pas tëre ato fyerje edhe pse asnjëherë nuk ka fyer asnjë nga komentuesit zemërkatranë! Për kë duhet të përpiqet e punojë një Gazetar sot? E kuptoni o njerëz që fatkeqësia juaj jeni vet ju që nuk dini kujt ti kërkoni llogari e kë të mbështesni me veprimet tuaja? Fatkeqësi dhe humbje për median e lirë për gazetarinë e vërtetë që edhe kështu në Shqipëri të tillët janë aq pak sa mund të numërohen me gishtat e një dorë”, shkruan ai.
Myftaraj ka qenë publicist dhe analist në median shqiptare. Prej kohësh Myftaraj drejtonte emisionin “Ju flet Moska”.
Emisioni i fundit i gazetarit “Plan për atentat ndaj një pronari mediatik“ ishte më 17 qershor. Prej kësaj date, analisti nuk ishte shfaqur më në ekran.
Ngjarjet më të rëndësishme të vendit, ai i lidhte me teori konspirative, ç;ka e bënte që të gjente edhe hapësira në media të ndryshme.