Deputetja socialiste, Ermonela Felaj, ka deklaruar se do të padisë në SPAK kryetaren e komisionit hetimor, Jorida Tabaku. Felaj tha se Tabaku shkeli ligjin kur pati një takim me kreun e SPAK pasi ajo nuk mund të shkojë me iniciativën e saj dhe të takojë Arben Krajën. Felaj i bëri thirrje edhe Krajës që të mbajë qëndrim.
Kjo lëvizje e PS ka nxitur debate në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët paraditen e sotme. Deputeti i PS-së Etjen Xhafaj akuzoi opozitën se po bën prokurorin dhe po ngre një furtunë balte. Nga ana tjetër kryetarja e komisionit Jorida Tabaku tha se deputetja e PS-së Ermonela Felaj ka ardhur me një detyrë të qartë si zhurmuese.
Etjen Xhafaj: Nuk ka nga ne kaq të shqetësuar sa pretendoni. Ka nga ju shumë të buzëqeshur që e quani procedurë. Ky kom hetimor parlamentar ka një përfaqësi të dyanshme. Kjo është arsyeja që qoftë për vizita në terren qoftë për planin e hetimit kemi qenë të dyja palët. Kjo nuk është vetëm jo etike që keni bërë ju, nuk është as ligjore. Duhet të ishim të dyja palët. Ju po e pranoni që keni ushtruar presion ndaj organit të akuzës, pa përfshirë anëtarët e palës tjetër.
Tabaku: Të lutem respekto ligjin. Nuk jemi komision që t’ju mësojmë edukatën dhe etikën.
Çupi: Duhet qetësi që të flasim, ne nuk mund të dublojmë…
Tabaku: Zonja Felaj për herë të 13-të po ju tërheq vëmendjen, me qetësi!
Çupi: Partisë që trashëgoni ju, ajo është radha e qumështit dhe tollonave. Zonja Felaj ta mbaroj unë, pastaj merreni ju për procedurë. Nuk ju nderon.
Felaj: Duhet t’ia ndërprisni fjalën.
Çupi: Kush jeni ju, rregulloren e kemi gjithë njësoj. Jeni në konflikt interesi, po pengoni dëshmitë. Ju jeni partia e radhës së qumështit, e tollonave.