
Komisioni Hetimor për Inceneratorët zhvillon sot një tjetër seancë maratone me dëshmitë e politikanëve. Sot pritet për të dëshmuar Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deputeti i PS, Alqi Bllako, dhe ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri. I pari që është thirrur për të dëshmuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kujtoi edhe një herë projektin e Lulzim Bashës për pastrimin e kryeqytetit me 37 euro për ton ndërkohë që sipas tij Tirana sot është më e pastër dhe 30% më lirë.
"Sa më shumë mbani, thesare do të dëgjoni për çfarë keni bërë. Basha i shkruan Berishës që ta bëjmë landfillin për 37 euro/ton. Ne e kemi 29 euro/ton, 30% më pas seç kërkonte ta bënte Basha. Basha ia çon fizibilitetin qeverisë dhe ngeli aty se humbi qeveria. Në 2013 është shpallur një gjendje e emergjencës mjedisore kur Basha ishte në bashki. Jam përgjigjur vetëm për Bashkinë e Tiranës në shkresën time", tha Veliaj teksa paraqiti edhe dokumentin.
Kundërshtimi i opozitës në lidhje me menaxhimin e plehrave duket se fsheh pas prishjen e një kontrate që do t’i sillte të ardhura të majme kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Sikurse mund të shihni edhe nga këto dokumente, që në gusht të 2013, Lulzim Basha nis tratativat lidhur me menaxhimin e plehrave të qytetit nga privatët.
Kontrata në atë kohë nga Basha kishte si çmim për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve 37 euro për ton, ose e thënë më thjeshtë, 8 euro/ ton më shumë se sa menaxhohet tani kur kryeqyteti pastrohet 3 herë në ditë.
Kontrata do të ishte 20-vjeçare duke bërë që fitimet të vijonin normalisht, pavarësisht se kush do të merrte më pas drejtimin e bashkisë apo të qeverisë.

Mjafton të lexojmë studimin e fizibilitetit që do i hapte rrugë kësaj kontrate të majme dhe që është firmosur pa hezitim nga kryetari i Bashkisë së asaj kohe Lulzim Basha, sot kryetar i opozitës.
“Fizibiliteti i objektit vlerëson se koncesioni për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe pastrimin e qytetit të Tiranës, nisur edhe nga eksperiencat ndërkombëtare të projekteve të ngjashme, do të jepet për një periudhë mesatare 20-vjeçare, me një investim kapital total në afro 34.6 milionë euro dhe një kosto operacionale në 37 euro/ton. Vlerësimi i bërë në studim për pagesën koncesionare që Bashkia Tiranë duhet të paguajë për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve dhe pastrimin e qytetit vijon në 11,412.000 euro/vit – 12,382,000 euro/vit – 10,387.000 euro/vit, respektivisht për skenarët “base case”, “law case”, dhe “high case”, thuhet në studimin e fizibilitetit të Bashkisë së drejtuar nga Basha në atë kohë.
