Ish-presidenti Alfred Moisiu deklaron se e ka mbështetur “Open Balkan”. Ai ka rrëfyer se edhe gjatë kohës kur ka qenë kryetar shteti ka ndërmarrë takime informale me homologët në Ballkan.
Moisiu u shpreh se derisa vendeve t’u vinte koha për t’u integruar në Bashkimin Europian mes tyre duhej zgjidhur çështja e lëvizjes së lirë.
“Ne s’i vumë emër në atë kohë, por problemi është këtu, kur bëhen këto gjëra duhen ruajtur ca norma sepse dikush edhe mund ta keqpërdorë,” – u shpreh ish-presidenti në një intervistë për Euronews Albania.
Sipas Moisiut kjo është një iniciativë që afron dhe njësoj si Procesi i Berlinit që fillimisht pati shumë zëra kundër, do të unifikohet dhe do të mbështetet në fund nga të gjithë.
Moisiu tregoi dhe se gjatë takimit me Hashim Thaçin në Hagë, ky i fundit ishte i shqetësuar për njollosjen e luftës së Kosovës.
“Po biseduam me Thaçin edhe për gjendjen shëndetësore dhe morale dhe si po ecin gjërat. Janë njerëz të vendosur për atë që donin të arrinin dhe e arritën. Shqetësimi i tyre është pse duhet të njolloset lufta e Kosovës”, u shpreh Moisiu.
Ish-presidenti tha se vizitoi Thaçin në Hagë për t’i treguar botës lufta e Kosovës ka qenë e drejtë, nuk mund të quhet luftë terroriste.
“Isha në 19 shtator në Hagë, ishim 3 ish-presidentët e Shqipërisë, Mejdani, Topi dhe ish-kryeministri Majko. Nga pala e tyre ishte Pacolli. Ne vajtëm atje për t’i përshëndetur ata dhe për t’i inkurajuar. Arsyeja pse vajtëm atje për t’i treguar që lufta e Kosovës ka qenë e drejtë, nuk mund të quhet luftë terroriste. Po të shikosh presidentin. Thaçi ishte në detyrë dha dorëheqjen dhe e arrestuan. Ai bëri një sakrificë, e bëri për të mbrojtur drejtësinë e luftë së Kosovës”, tha ai më tej.